Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, bashkë më nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufca, janë mbledhur bashkë me anëtarë e aktivistë të partisë pranë objektit ku kishin zyrën e parë për, siç thanë, të kujtuar themelimin e partisë së tyre.
Kurti, i cili erdhi pak më vonë, filloi të tregojë historinë e kundërshtimit të negociatave dhe e nisi rrëfimin me një aksion që kishin bërë 20 vjet më parë dhe se si e kishin shkruar parullën “Jo negociata, VETËVENDOSJE!” në murin e objektit të UNMIK-ut.
Me mburrje, Kurti tregoi se 24 aktivistë ia dolën t’i shpëtonin arrestimit të policisë “në flagrancë” derisa po e shkruanin parullën dhe se për këtë u angazhuan 24 veta.
Rrëfimin për kundërshtinë ndaj negociatave me Serbinë, Kurti e bëri derisa tash qeveria e tij në largim po dialogun me të në Bruksel.
Vetëm dy ditë më parë, zëvendësi i Kurtit në qeveri, Besnik Bislimi, ishte përballë kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq.
“Para 20 vjetëve përafërsisht në këtë orë, aksioni ka qenë i përfunduar. E kemi shkruar “Jo negociata, Vetëvendosje!”, te muri i UNMIK-ut ku është Ministria e Jashtme sot. Dhe në mënyrë që ta shkruajmë me sukses “Jo negociata, Vetëvendosje!”, e kemi shkruar me sprej me 24 aktivistë sepse aq shenja janë. Secili aktivist e ka ditur se në cilin vend do ta shkruajë shkronjën e vet dhe ata që shikonin në anën tjetër të rrugës “Agim Ramadani” e shihnin tablonë e plotë me parullën “Jo negociata, Vetëvendosje!” në murin e UNMIK-ut. Një shkronjë shkruhej për 10 sekonda, po ta shkruante një person atëherë do t’i duheshin 4 minuta, rrjedhimisht nuk do ta shkruante sepse do të ndërhynte policia. E dini që stacioni policor aty ka qenë shumë afër dhe e vetmja mënyrë që të shkruhet në mënyrë të suksesshme ka qenë një shkronjë për aktivist”, tha Kurti.
“Më pas ka pasë arrestime, por të asnjërit prej neve në flagrancë. Ata që i janë dukur policëve të rastit të dyshimtë, por jo edhe ata të cilët e kanë shkruar parullën. Dhe në këtë mënyrë me ndërhyrje në sferën publike, ne e themeluam Lëvizjen Vetëvendosje”.
Paraprakisht, Konjufca lexoi një listë të kundërshtimeve që Vetëvendosje kishte bërë para se të vinte në pushtet.