Kina po shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e teknologjisë hapësinore me një eksperiment pionier që synon furnizimin me karburant në orbitë. Dy satelitët kinezë, Shijian-21 dhe Shijian-25, po kryejnë manovra në orbitën gjeostacionare dhe pritet të ankorohet të mërkurën në një operacion që mund të zgjasë jetën e satelitëve në hapësirë.
Sipas kompanisë COMSPOC, e cila monitoron situatën hapësinore, dy satelitët janë afruar deri në dy gradë gjatësi gjeografike nga njëri-tjetri. Misioni synon që Shijian-25 të transferojë rreth 142 kilogramë hidrazinë te Shijian-21, duke i zgjatur atij jetëgjatësinë për tetë vite. Ky eksperiment mund të revolucionarizojë mënyrën se si funksionojnë satelitët dhe mund të shërbejë si një bazë për zhvillimin e teknologjisë së mirëmbajtjes orbitale.
Megjithatë, ky zhvillim ka ngjallur shqetësime në SHBA, e cila po e monitoron nga afër këtë eksperiment. Dy satelitë vëzhgimi—USA 270 dhe USA 271, pjesë e programit Geosynchronous Space Situational Awareness—kanë kryer manovra për t’iu afruar satelitëve kinezë, duke rritur vëmendjen mbi këtë eksperiment. Pentagoni e sheh këtë zhvillim si një moment kyç në ambiciet hapësinore të Kinës, duke ngritur pyetje mbi implikimet strategjike dhe teknologjike.
SHBA ka kryer më parë eksperimente të ngjashme, përfshirë një mision të Northrop Grumman në vitin 2019, i cili zgjati jetëgjatësinë e një sateliti me pesë vite. Gjithashtu, Forca Hapësinore e SHBA-së po përgatit një seri të re testesh, të quajtura Tetra-5 dhe Tetra-6, me pajisje nga furnitorë komercialë si Northrop Grumman.
Teksa konkurrenca hapësinore mes fuqive globale intensifikohet, eksperimentet si ky i Kinës po hapin rrugën për teknologji të reja që mund të ndikojnë në balancat strategjike në hapësirë. SHBA do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet, ndërsa gara për dominimin hapësinor bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar.