Një incident i ndodhur të mërkurën pasdite në Gjakovë ka përfunduar me arrestimin e një burri dhe një gruaje, të cilët, sipas autoriteteve, janë përleshur fizikisht pas një zënke verbale. Ngjarja është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave.
Sipas njoftimit të policisë, të dy të dyshuarit janë dërguar për trajtim mjekësor pas përleshjes. Gjatë kontrollit të realizuar në shtëpinë e burrit të përfshirë në rast, policia ka sekuestruar një pushkë gjahu si dhe 44 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Njoftimi i plotë: “Janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë pasi që të njëjtit pas një zënke e kishin sulmuar fizikisht njëri-tjetrin… Në shtëpinë e të dyshuarit mashkull janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë e gjuetisë me 16 copë dhe 28 fishekë tjerë të dy kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.
Prokurori i rastit ka vendosur që pas intervistimit, gruaja të lirohet në procedurë të rregullt, ndërsa burri të mbahet në ndalim, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme hetimore.