Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka arritur në përfundimin se Irani po shkel angazhimet e tij për mospërhapjen bërthamore. Kjo ka bërë që Bordi i Guvernatorëve të miratojë një rezolutë që e shpall Teheranin si jo-kompliant me angazhimet ndërkombëtare për energjinë bërthamore.
Për herë të parë pas 20 vitesh, rezoluta e propozuar nga Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se Irani nuk po respekton detyrimet e tij dhe nuk ka bashkëpunuar me IAEA-në lidhur me materialet bërthamore të padeklaruara.
Rezoluta u miratua nga 35 anëtarët e bordit të IAEA-së, mes shqetësimeve në rritje mbi aktivitetet bërthamore të Iranit. Sipas burimeve diplomatike, 19 vende votuan në favor të rezolutës, ndërsa Rusia, Kina dhe Burkina Faso votuan kundër. Njëmbëdhjetë vende abstenuan.
Ky vendim mund të çojë në referimin e Iranit te Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pasi ai nuk ka arritur të dëshmojë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Si kundërpërgjigje ndaj rezolutës, Irani ka shpallur krijimin e një objekti të ri për pasurimin e uraniumit.
Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, ka shprehur “shqetësim serioz” mbi shkallën e pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit, duke paralajmëruar se sasia aktuale është afër nivelit të nevojshëm për një armë bërthamore.
Rezoluta vjen në mes të negociatave indirekte mes Teheranit dhe Washingtonit, të ndërmjetësuara nga Omani, në përpjekje për të arritur një marrëveshje pas tërheqjes së SHBA-së nga Pakti Bërthamor i vitit 2015 (JCPOA) në vitin 2018.
Raundi i ardhshëm i bisedimeve do të zhvillohet të dielën në Muscat, kryeqytetin e Omanit, ku çështja kryesore e debatit mbetet pasurimi i uraniumit nga Irani.
Ndërsa SHBA-ja kërkon ndalimin e plotë të pasurimit, negociatorët iranianë vazhdojnë të insistojnë se programi është i panegociueshëm dhe do të vazhdojë, pavarësisht rezultatit të marrëveshjes.