Kim Kardashian ka reaguar ashpër ndaj politikave të administratës Trump, duke e cilësuar ndërhyrjen e Zyres se Imigracionit në Los Anxhelos si të tepruar dhe çnjerëzore.
Në mes të tensioneve mes protestuesve dhe forcave ushtarake amerikane, Kardashian ka përdorur rrjetet sociale për të shprehur shqetësimin e saj mbi situatën. “Duhet të ketë një mënyrë më të mirë,” ka shkruar ajo në një mesazh drejtuar 356 milionë ndjekësve të saj.
Ajo ka theksuar se Zyra e Imigracionit supozohet të mbrojë vendin dhe të largojë kriminelët e dhunshëm, por ka kritikuar mënyrën se si po trajtohen emigrantët e pafajshëm dhe punëtorë të ndershëm. “Nuk mund të mbyllim sytë kur frika dhe padrejtësia pengojnë njerëzit të jetojnë të lirë dhe të sigurt,” ka shtuar ajo.
Marrëdhënia e Kim Kardashian me politikën e Trump
Kardashian ka bashkëpunuar me Trump gjatë mandatit të tij të parë, duke lobuar për faljen e disa të dënuarve për krime jo të dhunshme. Megjithatë, sot ajo duket se ka distancuar veten nga politikat e tij, veçanërisht ato që lidhen me emigracionin.
Ndërkohë, Trump ende nuk ka reaguar ndaj kritikave të Kardashian, por administrata e tij ka mbrojtur operacionet e Zyres se Imigracionit duke i cilësuar si të nevojshme për sigurinë kombëtare.