Ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvorak, ka theksuar se Kosova ka bërë përparime të mëdha në zhvillimin e infrastrukturës dhe institucioneve, por sfidat e trashëguara nga periudha e pasluftës dhe mungesa e kompromisit po e pengojnë integrimin e saj në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dvorak—i cili ka shërbyer si administrator i Kombeve të Bashkuara në Istog pas luftës—ka deklaruar se mungesa e dialogut me komunitetin serb dhe retorika e ashpër po dëmtojnë perceptimin e Kosovës në BE.
“Retorika agresive dhe mungesa e vullnetit për dialog me serbët po dëmtojnë imazhin e Kosovës në Bashkimin Evropian,” ka thënë ai, duke bërë thirrje për një qasje më të ekuilibruar dhe konstruktive.
Ai ka theksuar rëndësinë e dialogut me Serbinë dhe nevojën për bashkëpunim si një hap i domosdoshëm drejt anëtarësimit në BE.
“Pa kompromis nuk ka anëtarësim në BE,” ka shtuar Dvorak, duke nënvizuar se qetësimi i situatës dhe rifillimi i dialogut janë kyçe për të siguruar një rrugë më të qartë drejt integrimit evropian.
Dvorak, autor i librit “Kosova nën lëkurën time”, mban statusin e qytetarit nderi në komunën e Istogut për kontributin e tij në rindërtimin e pasluftës në Istog, Gjakovë dhe Pejë gjatë periudhës 1999-2002, kur shërbeu si administrator i UNMIK-ut.