Rusia ka kritikuar ashpër vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për të ulur çmimin tavan të naftës së papërpunuar ruse, duke e cilësuar këtë masë si të dështuar për stabilizimin e tregjeve globale të energjisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se “veprime të tilla nuk ndihmojnë në stabilizimin e tregjeve ndërkombëtare të energjisë dhe naftës”, duke shprehur skepticizëm për efektivitetin afatgjatë të kësaj politike.
Ky reagim vjen pasi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shpalli raundin e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, ku përfshihet propozimi për reduktimin e çmimit tavan nga 60 në 45 dollarë për fuçi – një temë që pritet të diskutohet edhe në takimin e ardhshëm të vendeve të G7.
Nga ana tjetër, Peskov theksoi se Moska nuk është e papërgatitur për sanksione të reja. “Rusia ka përvojë të konsiderueshme në zbutjen e efekteve të sanksioneve të paligjshme”, tha ai, duke e prezantuar qeverinë ruse si të kalitur ndaj presioneve ndërkombëtare.
Sipas raportimeve të Reuters, çmimi i Uraleve ruse kishte rënë nën 60 dollarë për fuçi në fillim të prillit, çka kishte sjellë rikthimin e disa kompanive perëndimore të transportit në tregun rus të naftës – duke nxitur shqetësime për financimin e operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë.
Në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Peskov u shpreh se procesi i rikthimit të dialogut është i ngadalshëm, por i nisur, ndërsa ambasadori rus në Uashington, Alexander Darshiev, vlerësoi se ende ka një rrugë të gjatë përpara se të ndodhë një normalizim i plotë.
Ngjarjet zhvillohen në një klimë të tensionuar gjeopolitike, ku çmimet e energjisë dhe politikat sanksionuese mbeten në fokus të debatit ndërkombëtar./World News