Edhe 26 vjet pas çlirimit të Kosovës, disa ndiejnë se lufta nuk ka përfunduar ende. Shumë gra e burra, të prekur nga lufta e fundit në Kosovë, kanë mbetur me plagë të hapura e të pashëruara.
Njëzet rrëfime të tilla të grave të dhunuara seksualisht nga forcat serbe, janë përmbledhur në një libër nga Garentina Kraja dhe Anna Di Lellio.
“Për një kategori – gratë e këtij libri – duket që kjo luftë nuk ka përfunduar kurrë, sepse ato janë detyruar të jetojnë me pasojat e saj në heshtje”, thotë Kraja.
Kraja, hulumtuese dhe gazetare, dhe Di Lellio, sociologe dhe analiste politike, kanë përcjellë luftën e viteve 1998/99 në Kosovë në kapacitete të ndryshme.
Por, që nga viti 2015 – të nxitura nga instalacioni “Mendoj për ty” i Alketa Xhafa Mripës, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës – ato kërkonin një mënyrë se si të kontribuonin në ndryshimin e narrativit për këtë luftë në Kosovë.
Dhe, në fund, rezultati është një libër, i publikuar më 12 qershor, në gjuhën angleze, me 20 rrëfime të grave që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës.
“Ne e kemi konceptuar këtë libër si kundërpërgjigje ndaj heshtjes dhe indiferencës që e kemi takuar shpesh brenda Kosovës dhe jashtë saj, për të njohur e ndëshkuar vrasësit e krimit që është kryer ndaj mijëra grave dhe burrave në Kosovë e që vazhdon ta rëndojë jetën e të mbijetuarve”, thotë Kraja për Radion Evropa e Lirë.
Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet. Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.
Megjithatë, statusin ligjor si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë marrë vetëm afër 2.000 persona.
Kraja thotë se në Kosovën e pasluftës, ku kujtesa kolektive është përqendruar rreth heronjve të luftës çlirimtare dhe rezistencës ushtarake, ky libër sjell në qendër pikërisht ato që shpesh kanë mbetur në hije: gratë e përdhunuara gjatë luftës.
Rrëfimet e tyre nuk kufizohen vetëm gjatë kohës së luftës, por gjithë jetës së tyre. Për Krajën, kjo ka qenë e rëndësishme për të treguar se si këto gra, në jetën e tyre, kanë përjetuar vetëm thyerje emocionale qysh prej ndaljes nga shkollimi, shkaku i mendësisë së familjeve
“Jeta e tyre njeh vetëm përkeqësim. Dhe nuk mbaron me krimin që ndodh ndaj tyre, por vazhdon edhe pas luftës. Ato jo vetëm që nuk gjejnë përkrahje prej institucioneve, por nuk gjejnë përkrahje as prej familjeve të tyre”, thotë Kraja.
Për shkak të asaj që rrethi shoqëror në Kosovë e cilësonte si humbje të nderit të familjes, Kraja thotë se shumë gra vendosën të heshtin për përjetimet e tyre.
Deri më tani në Kosovë, vetëm Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri-Sulimani dhe Ramadan Nishori kanë folur publikisht për dhunën seksuale që kishin përjetuar gjatë luftës.
Meqë shumica e rrëfimeve të tjera – si ato të ndara për Radion Evropa e Lirë ndër vite – janë dhënë anonimisht, Kraja dhe Di Lellio ua kanë kushtuar një kapitull “Heshtjeve”.
“Ka lloje të ndryshme të heshtjes. Në fillim, pasi diçka e tillë i ndodh një gruaje, heshtja e parë është nga shoku. Pastaj, heshtja tjetër është sepse ‘të dhunohesh është diçka e keqe’ dhe çka për 17 familjarët e vrarë? Dikush e ka përjetuar edhe më keq”, thotë Di Lellio për Radion Evropa e Lirë.
Ajo që thotë se e ka habitur në Kosovë, është se, më vonë, këto gra kanë përjetuar paragjykime të mëdha nga gratë e tjera në familjet e tyre.
Kraja, prej fillimit të karrierës si gazetare e luftës e deri te puna si këshilltare e ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ndjekur nga afër rrëfimet e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Ndërsa, Di Lellio, aktualisht ligjëruese për ndërhyrjet humanitare dhe etikën në luftë në Universitetin e Nju Jorkut, gjatë vitit 1999 ishte e angazhuar si këshilltare për Programin e OKB-së për Ushqim në Kosovë.
Për Di Lellion është shumë e rëndësishme të theksohet forca e këtyre grave. Për këtë arsye edhe libri është titulluar “Lidhja më e fortë” (në anglisht The Strongest Link) – për forcën që ato kanë treguar brenda familjeve të tyre dhe për forcën që gratë që udhëheqin organizata joqeveritare, kanë treguar për t’u ofruar ndihmë atyre që kanë pasur nevojë.
“Forca e shpirtit të tyre është e pabesueshme. ‘Lidhja më e fortë’ u referohet atyre për mënyrën se si ia dolën të jetonin pas gjithçkaje që u ka ndodhur, si ia dolën të luftojnë për të drejtat e tyre”, thotë Di Lellio.
Për të, krahasimi me vendet e tjera është i pashmangshëm. Ajo thotë se historitë e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë nuk morën shumë kohë për të dalë në publik, kur merren parasysh historitë e ngjashme në vendet e tjera.
Ajo përmend gratë gjermane të dhunuara nga forcat ruse, gratë koreane dhe kineze të përdorura si skllave seksi nga ushtria japoneze, si shembuj të rasteve kur historitë e tilla filluan të fliteshin vetëm 60 apo 70 vjet më vonë.
“S’mund të jemi kurrë të kënaqur, duam të bëjmë më shumë. Por, nuk u desh shumë kohë. Dhe fakti që janë futur në kategori të viktimave civile të luftës, kanë pension, është shumë i rëndësishëm”, thotë Di Lellio.
Por, a mund të bëhet më shumë? Patjetër, thotë ajo.
Di Leillo mbetet kritike për mënyrën se si funksionon Komisioni Qeveritar përgjegjës për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Ata duhet t’i lehtësojnë disa nga standardet për verifikimin e përfituesve të pensionit”, thotë ajo.
Di Lellio përmend rastin e një gruaje që ishte detyruar të shkonte për t’u intervistuar në ndërtesën e Komisionit për atë që kishte përjetuar gjatë luftës. Pikërisht në atë ndërtesë ajo ishte ndaluar nga forcat serbe gjatë luftës.
“Përmes organizatave me të cilat të mbijetuarit kanë punuar që, për shembull, 17 vjet, ata duhet ta dinë se diçka u ka ndodhur dhe se s’po kërkojnë para falas”, shton ajo.
Statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës u siguron përfituesve një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime të tjera, si: shërbime shëndetësore falas dhe përparësi në punësim.
Sipas ligjit në Kosovë, i cili është miratuar në vitin 2014, statusi i tillë i takon çdo personi, i cili arrin ta bindë një komision qeveritar se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 27 shkurt 1998 – 20 qershor 1999.
Organizatat që punojnë me të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, avokojnë që aplikuesit të intervistohen fizikisht vetëm në rastet kur është e qenësishme. Në vitet e fundit janë ankuar se për intervistë ftohet pothuajse çdo aplikues.
Por, tani, 26 vjet pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, Kraja thotë se është koha për të menduar më thellësisht për pasojat e asaj që ndodhi në Kosovë në fundin e viteve ‘90.
“Ndërkohë që 12 qershori është festë, unë dëshiroj që kjo ditë të shërbejë edhe për të reflektuar për ata njerëz që nuk e kanë përjetuar përfundimin e luftës sikur ne të tjerët, që ta dokumentojnë këtë kapitull si pjesë të historisë së Kosovës”, thotë Kraja.
Di Lellio thotë se, përderisa historitë e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë janë të njohura ndërkombëtarisht dhe kanë sjellë ndryshime edhe në ligje ndërkombëtare, e njëjta nuk vlen edhe për Kosovën.
“Ideja është ta bëjmë edhe këtë [historinë e Kosovës me dhunimet seksuale] të njohur ndërkombëtarisht”, thotë ajo, duke shpjeguar pse libri është publikuar në anglisht.
Kraja thotë se, përmes tregimit të këtyre historive, ato synojnë të ndihmojnë në parandalimin dhe mospërsëritjen e këtyre rasteve dhe vetëdijesimin për mënyrat se si duhet të trajtohen ato
“Kjo shkon përtej Kosovës”, përfundon Kraja.