Nënkryetari i Parlamentit të Serbisë, Edin Djerlek, ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të eksportit të armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Serbia drejt Izraelit, duke e cilësuar ofensivën e Izraelit në Gaza si një akt gjenocidi ndaj popullit palestinez.
Në një fjalim para deputetëve, Djerlek deklaroi se ushtria izraelite po vepron në një mënyrë “brutale”, duke i lënë civilët të vdesin nga uria dhe duke shënjestruar gra e fëmijë të pafajshëm, sipas raportimeve nga agjencia e lajmeve Fonet.
Djerlek bëri të ditur se Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit është duke përgatitur një rezolutë për pezullimin e eksporteve ushtarake nga Serbia në Izrael, e cila pritet të dorëzohet në parlament në një afat të shpejtë.
Megjithëse e pranoi se ky vendim mund të krijojë sfida për industrinë serbe të mbrojtjes, Djerlek argumentoi se kjo nuk është vetëm një çështje politike apo ekonomike, por mbi të gjitha një çështje morale.
Ky propozim vjen mes kritikave ndërkombëtare mbi situatën humanitare në Gaza dhe rritjes së presionit global për ndërhyrje diplomatike./A News