Pavarësisht bastisjeve federale në pronat e tij në Miami dhe Los Angeles, producenti i njohur amerikan Sean “Diddy” Combs thuhet se ka vazhduar organizimin e festave të njohura si “freak offs”, me përmbajtje të theksuar seksuale, sipas një dëshmie të paraqitur në procesin e tij gjyqësor për trafik seksual.
Një dëshmitare anonime, e identifikuar si “Jane”, dëshmoi se këto festa janë zhvilluar në muajt maj, korrik dhe gusht të vitit 2024, disa muaj pas ndërhyrjeve të FBI-së në pronat e Combs në muajin mars. Sipas saj, për organizimin e këtyre ngjarjeve janë kontraktuar edhe punonjës të seksit mashkull, ndërsa vetë ajo kishte qenë në një marrëdhënie personale me Combs deri në arrestimin e tij në shtator të po atij viti.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Diddy-t ka paraqitur një kërkesë zyrtare për shpalljen e gjyqit të pavlefshëm. Avokatja Alexandra Shapiro ka akuzuar prokurorinë për “sjellje të pahijshme”, duke e cilësuar të rremë një dëshmi kyçe që lidhet me një incident të dyshuar të vitit 2016, në të cilin Combs gjoja ka kërcënuar të hedhë nga ballkoni Bryana Bongolan, në apartamentin e këngëtares Cassie Ventura.
Në një letër zyrtare drejtuar gjykatës, Shapiro deklaroi se qeveria ka paraqitur dëshmi që duhej të dinte se ishin të rreme. Ajo përforcoi alibinë e klientit të saj, duke dorëzuar regjistrime udhëtimi që tregojnë se Combs kishte qëndruar në Trump Hotel në New York gjatë datave 24–29 shtator 2016 — një periudhë që bie ndesh me kronologjinë e ngjarjes së pretenduar nga prokuroria.
Gjykatësi Arun Subramanian nuk ka marrë ende një vendim për këtë kërkesë, pasi procesi gjyqësor vazhdon me dëshmitë nga të dyja palët.