- Komuna e Graçanicës ka bërë tejkalim të kompetencave të veta ligjore dhe cënuar rëndë karakterin unitar dhe kushtetues të shtetit të Kosovës.
Kështu ka konstatuar Gjykata Themelore e Prishtinës për një vendim kontraverz të Komunës së Graçanicës për festën serbe të “Vidovdanit” të cilën e festojnë më 28 qershor për të shënuar “Betejën e Kosovës” së 1389’ës si një folklor-mitologji serbe.
Çështja e një vendimi të Komunë së Graçanicës për vendosje së flamujve serbë në hapësira publike – pa qenë “Vidovdani” festë zyrtare në Republikën e Kosovës – si të një feste “me ndikim të veçantë publik (për komunitetin serb)” ka bërë ekzekutivi kosovar ta konstestojë atë në gjykatë: përkatësisht Ministria e Pushtetit Lokal (MAPL), raporton Nacionale.
Gjykata Themelore në Prishtinë miratoi padinë e MAPL-së dhe anuloi vendimin e Komunës së Graçanicës me arsyet e mëposhtme:
- Një: Gjykata gjeti se të njëjtës i mungon baza ligjore për shpalljen e festave publike nga komunat.
- Dy: Vetëm Qeveria në bashkëpunim me Presidentin e Republikës së Kosovës mund të përcaktoj ditët memoriale nga të cilat dy ditë në konsultim me komunitetin serb.
- Tre: Vendimi i të paditurës për dhënien e pëlqimit për shfaqjen e flamurit të një shteti tjetër me rastin e një feste që nuk njihet si zyrtare nga institucionet e Republikës së Kosovës, përbën tejkalim të kompetencave të përcaktuara me ligj.
- Katër: Me vendimin e të paditurës është cënuar rëndë karakteri unitar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kosova është një shtet unik dhe i pandashëm, dhe autoritetet komunale nuk mund të ndërmarrin veprime që e relativizojnë këtë parim. Lejimi i flamurit të një shteti tjetër (serbisë), jashtë rasteve të parapara me ligj, mund të perceptohet si akt simbolik i sovranitetit të dyfishtë apo vetëorganizimit politik në kundërshtim me rendin kushtetues.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e ndjeshmërisë etnike dhe politike në Kosovë. Çdo lejim i tillë pa bazë ligjore mund të krijojë precedent të rrezikshëm për minimin e rendit juridik dhe unitetit shtetëror”, shkruhte në vendimin e Gjykatës.
“Gjykata gjeti se me vendimin e të paditurës është rrezikuar seriozisht rendit publik dhe bashkëjetesa ndërkomunitare. Vendimi në fjalë mund të provokojë tensione ndëretnike, veçanërisht nëse perceptohet se autoritetet komunale po favorizojnë një komunitet në kundërshtim me rendin ligjor dhe ndjenjat e komuniteteve të tjera. Ky rrezik për rendin publik është edhe më i lartë në kontekstin kur simboli i një shteti tjetër shfaqet në mënyrë të organizuar nga një autoritet publik komunal, pa pëlqimin ose autorizimin e institucioneve qendrore.Në lidhje me këtë, gjykata hodhi poshtë pretendimet e të paditurës sa i përket asaj se ky vendim sipas tyre nuk ka një efekt juridik formal të zgjatur ose të përhershëm por është qartësisht i kufizuar me datën 28.06.2024. Në këtë drejtim, gjykata konstatoi se karakteri përkohshëm nuk e amniston kundërligjshmërinë”, thuhet në vendim.
Gjykata mes tjerash tha se ,e këtë Aktgjykim synon jo vetëm konstatimin e paligjshmërisë në rastin konkret, “por gjithashtu edhe sigurimin e koherencës së rendit juridik dhe parandalimin e shkeljeve të ngjashme në të ardhmen”.
“Lejimi i përdorimit të flamurit të një shteti tjetër në hapësirat publike pa autorizim ligjor, edhe për një ditë të vetme, mund të ketë efekt simbolik destabilizues, duke ndikuar negativisht në ndjenjën e barazisë ndërkomunitare dhe në autoritetin e shtetit të Kosovës”, thanë ata