Grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë ishte i trajnuar nga struktura paraushtarake serbe dhe i mbështetur nga shteti serb, kështu deklaroi dëshmitari Fahri Shala, zyrtar policor në stacionin në Zveçan, në seancën gjyqësore që po zhvillohet sot në Prishtinë për rastin “Banjska”.
Në dëshminë e tij, Shala tha se nga mënyra e sulmit, përdorimi i armëve të ndryshme dhe taktikat e përparimit të grupit terrorist, ishte e qartë se bëhej fjalë për një njësi të mirëorganizuar, të trajnuar dhe të pajisur me armatim të sofistikuar.
“Fshati Banjskë është i rrethuar prej bjeshkëve. Të shtënat kanë ardhur nga më shumë se 20 vende. Në bazë të krismave dhe armëve të përdorura, nga armët më të lehta deri te ato që përdoren për automjete të blinduara, mendojmë se ky grup terrorist ka qenë i trajnuar nga struktura paraushtarake të Serbisë. Kanë qenë rreth 50 persona, të organizuar në mënyrë ushtarake”, tha Shala.
Ai shtoi se organizimi dhe përzgjedhja e vendit të sulmit, në një terren të favorshëm për sulm dhe mbrojtje si dhe taktikat e ndjekura, dëshmojnë për një përgatitje të mirë profesionale.
“Mendoj se pas këtij grupi qëndron një njeri me epitet tek ata. Sipas asaj që kemi kuptuar edhe nga mediat, organizatori ishte Milan Radoiçiq, i cili e ka pranuar edhe vetë”, tha ai.
Dëshmitari tregoi edhe për përplasjen direkte me grupin e armatosur në orët e hershme të 24 shtatorit 2023. Sipas tij, gjatë përballjes, një granatë dore e hedhur nga sulmuesit i ka shkaktuar dëmtim të timpanit të veshit të djathtë.
“Derisa ishim në shkëmbim zjarri me grupin terrorist, në momentin kur arritëm të largonim rreshterin, ata hodhën një granatë dore. Krisma e saj më dëmtoi timpanin e veshit të djathtë”, tregoi Shala.
Ai rrëfeu se si kishte patrulluar atë natë me kolegët Elez Peci dhe Sedat Dushi dhe pasi kishin marrë informatën për bllokimin e urës me dy kamionë, ishin nisur drejt fshatit Banjskë.
Shala tha se kishin hasur një veturë të dyshimtë gjatë rrugës dhe se në hyrje të fshatit kishin vërejtur mungesë të ndriçimit në shtëpitë përreth, gjë që e kishin konsideruar të pazakontë.
Në vazhdim të dëshmisë, ai përshkroi momentet e sulmit.
“Papritmas dëgjuam një shpërthim të madh dhe më pas filluan të shtënat në drejtimin tonë kur pashë një trup të shtrirë rreth një metër e gjysmë larg, u afrova dhe e identifikova që ishte rreshteri. I vendosa dorën në qafë për t i kontrolluar pulsin, por për shkak të të shtënave të vazhdueshme nuk arrita të kuptoj gjendjen e tij menjëherë”, rrëfeu Shala.
Ai tregoi se kishte kërkuar ndihmë përmes radios, duke udhëzuar që të dëmtohej ndriçimi në zonë për të penguar lëvizjen e grupit terrorist dhe kishte kërkuar që të afrohej automjeti i Njësisë Kufitare, i cili për shkak të sulmit nuk kishte mundur të ndizet
“Në kushte të rënda zjarri, Elez Peci e mori veturën tonë dhe arriti te ne. Më tha: ‘Koleg, nuk po mundet vetë të vendoset në veturë’. Kërkova ndihmë që ta vendosim rreshterin në makinë, ndërsa unë vazhdova t’i kundërvihesha grupit terrorist, duke mos i lejuar që të afrohej. Ata kanë qenë shumë afër, rreth 10 deri 15 metra”, theksoi dëshmitari.
Sipas Shalës, nga pozicionet dhe mënyra e gjuajtjeve, ishte e qartë se forcat e armatosura kishin pasur për qëllim që të shkaktonin sa më shumë dëme ndaj Policisë së Kosovës.
“Vetë mënyra e bllokimit të rrugës me kamionë, armët që janë përdorur dhe sulmi i koordinuar tregojnë se gjithçka ka qenë e drejtuar kundër uniformës së Policisë së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Ky ishte një sulm terrorist i mbështetur dhe i planifikuar me kujdes nga struktura shtetërore të Serbisë”, tha ai.
Në fund të dëshmisë së tij, Fahri Shala theksoi se, me gjithë intensitetin e lartë të sulmit dhe rrezikut të vazhdueshëm, asnjëherë nuk ishin tërhequr nga pozicionet e tyre.