Për të 31-tën herë, të zgjedhurit e popullit dështuan të konstituojnë legjislaturën e re të Kuvendit.
Në një skenar të përsëritur, seanca u ndërpre në mungesë kuorumi – këtë herë me vetëm 47 deputetë që morën pjesë në votim.
“Ndërpritet seanca dhe shihemi më 15 Qershor në ora 11”, ka thënë Avni Dehari, deputet i LV-së.
Derisa sërish përgjegjësinë për bllokadën dhe krizën ia hodhi partive që në legjislaturën e kaluar ishin opozitë, deputeti i Lëvizja Vetëvendosje Artan Abrashi dha një qëndrim për propozimin 15 pikësh të Lidhjes Demokratike.
“E kemi diskutuar atë që quhet plan dhe në diskutimet tona lidhur me ato pika që ishin aty, kemi arritur në një përfundim se ai plan i ka disa vështirësi të patejkalueshme logjike për t’i kuptuar”, ka thënë Artan Abrashi, Deputet i LV-së.
Por, kreu i Partisë Demokratike Memli Krasniqi i propozoi LDK-së një qeveri pa Lëvizjen Vetëvendosje.
“Matematika është shumë e thjeshtë, vetëm 19 vota të LDK-së unë i bëj tjerat dhe bëhemi 61. Matematikën e dini edhe ju, edhe unë, edhe secili, këtu ka deputetë të Kosovës, pa Listën Serbe, që partitë e ish-opozitës e bëjnë 61-shin”, ka thënë Memli Krasniqi.
Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike, Ekrem Hyseni përsëriti thirrjen e kryetari të partisë së tij, për një qeveri kalimtare.
“Kemi një Kuvend jo funksional, një qeveri pa legjitimitet, ndërkohë që nuk as edhe një lëvizje që të dilet nga kjo krizë dhe bllokadë institucionale. Si LDK e shohim me shqetësim situatën politike në të cilën, andaj dje kemi dalë me një propozim”, ka thënë Ekrem Hyseni, deputet i LDK-së.
Pasi tha se u takon krerëve të partive të vendosin për propozimin e LDK-së, deputeti i AAK-së Daut Haradinaj tha se shpreson te deklarata e Glauk Konjufcës.
“Unë e pashë edhe deklaratën e ish-kryetarit të Kuvendit që tha se në dy javët e ardhshme mund të ketë ndryshime. Më shumë jam i prirur me i besua ish kryetarit të Kuvendit që ndoshta do ta bëjnë një ofertë që do të japë zgjidhje”, ka thënë Daut Haradinaj, deputet i AAK-së.
Pasi tregoi se së fundmi nuk ka pasur kontakte me kreun e LV-së Albin Kurti, i pari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj tha se askush nuk i ka votat e Nismës pa marrëveshje politike – teksa u shpreh i hapur për planin e LDK-së.
“Atë që kemi parë media, nuk kemi pasur një dërgim zyrtar. Unë po pres natyrisht me na e prezantua kryetar i LDK-së… Pa marrëveshje politike nuk mund të ketë zgjidhje dhe unë prandaj besoj që shpejtë do të ketë zgjidhje politike”, ka thënë Fatmir Limaj, deputet i Nismës Socialdemokrate.
Seanca konstituive ka nisur më 15 Prill, ndërsa ka vazhduar edhe 30 herë të tjera, me gjithsej 31 përpjekje të dështuara për të përmbyllur zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit./Dukagjini/