Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se që nga caktimi i datës së zgjedhjeve PDK e LDK kanë humbë kohë, nuk kanë dalë me platformë të përbashkët.
Sipas tij, të dy partitë që synojnë të mposhtin Vetëvendosjen, thonë diçka tjetër. PDK do qeveri me LDK-në e AAK-në kurse LDK dëshiron qeveri të unitetit e del me 15 pika.
“Kanë mundë me dalë me platformë të përbashkët dhe me kandidat për kryeministër të përbashkët. PDK thotë diçka tjetër e LDK tjetër. Për momentin qysh është gjendja është parajsë për Albin Kurtin, është edhe kryeministër në detyrë edhe deputet e pa përgjegjësi politike” – ka deklaruar Arifi në “KallxoPërnime”.
Sipas Arifit, opozita do të duhej të ishte më luftarake e kërkuese në kuptimin politik e të mos shkonte në Kuvend çdo 48 orë për dy minuta e që nuk do kritikoheshin nëse do kishin front të përbashkët.
“Këta nuk kanë front të përbashkët, nuk e dijmë kush do ishte kryeministri konsensual dhe nuk e dijmë qysh kanë me vepru me dialogun, nuk tregojnë a do e dërgojnë draft-statutin e Asociacionit” – ka shtuar ai.
Arifi konsideron se opozita në këtë formë nuk mund të fitojë ndaj Vetëvendsojes dhe se situata politike siç është për momentin, mund të zgjas njësoj deri në prillin e vitit 2026 kur vjen momenti i zgjedhjes së presidentit/es.
Ligjërisht sipas tij, VV ka të drejtë sepse Kushtetuesja në vitin 2014 i ka dhënë të drejtën ekskluzive partisë që del e para të propozojë kandidatin për kryekuvendar.
“Po të ishte që partia e parë e ka të drejtën vetëm 10 herë e pastaj e ndërron kandiatin, pasi dy herë është ndërru kandidati e humb të drejtën. Tash një precedant i gabueshëm dhe krejt sistemi shkon gabim. Po të ishte si afatet e qeverisë do ishim duke fol digjitalizimin e arsimit” – shton Arifi, duke thënë se VV ka ide të tjera për zgjidhje e partitë tjera kanë zgjidhje tjera.
Sipas tij, vetëm kur të votohet kryekuvendari shihet se a i ka LVV numrat dhe të sfidohet.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 09.02.2025. Kosova ende është pa qeveri të re.
Ndërsa qe dy muaj nuk ka arritur të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Për herë të 31-të është ndërprerë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës më 13.06.2025 për të vazhduar pas 48 orëve, më 15.06.2025, në ora 11:00.