Objekti bërthamor i Iranit në Natanz ka pësuar dëmtime si pasojë e një sulmi ajror të kryer nga Izraeli në orët e para të së premtes, konfirmoi Organizata e Energjisë Atomike të Iranit në një deklaratë zyrtare të shpërndarë për mediat, përfshirë agjencinë Reuters.
Sipas njoftimit, disa pjesë të infrastrukturës janë dëmtuar, por autoritetet theksojnë se nuk ka rrezik për shëndetin publik.
“Sulmi ka dëmtuar disa pjesë të objektit. Hetimet po vazhdojnë për të vlerësuar shkallën e dëmeve”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se “deri më tani nuk është regjistruar asnjë kontaminim radioaktiv apo kimik jashtë zonës së objektit”.
Natanz është një nga pikat më të rëndësishme strategjike për programin bërthamor të Iranit dhe ka qenë më herët objektiv i sulmeve kibernetike dhe akteve sabotazhi.
Sulmi ajror i Izraelit ndaj Iranit, që përfshiu qindra objektiva ushtarake dhe infrastrukturore, përbën një përshkallëzim të madh të tensioneve në rajon, ndërsa qeveria izraelite ka paralajmëruar se operacionet ushtarake do të vazhdojnë.
Ndërkohë, Irani ka kërkuar seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa liderët më të lartë të vendit kanë paralajmëruar “hakmarrje të pashmangshme”.