SHBA kishte dijeni për sulmin e gjerë të Izraelit ndaj objektivave bërthamore dhe ushtarake në Iran disa ditë përpara se operacioni të niste, pavarësisht mohimeve publike nga Shtëpia e Bardhë, raportuan të premten disa media amerikane.
Sipas faqes së lajmeve Axios, zyrtarët e administratës së presidentit Donald Trump ishin informuar për operacionin në mënyrë konfidenciale dhe nuk kishin shprehur kundërshtime, ndonëse në publik ishin shprehur të distancuar nga sulmi.
“Kishim një ‘dritë jeshile’ të qartë nga SHBA,” citohet të ketë thënë një zyrtar izraelit për Axios.
Vetë presidenti Trump, vetëm pak orë përpara fillimit të sulmeve, deklaroi se SHBA nuk do të përfshihej ushtarakisht, por më vonë pranoi se kishte qenë në dijeni të operacionit.
Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio theksoi se Izraeli kishte vepruar “në mënyrë të njëanshme”.
Operacioni izraelit: Bombardime, atentate dhe sabotime të fshehta në Iran
Sulmi izraelit ndaj Iranit filloi në orët e para të mëngjesit të së premtes, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që e prezantoi operacionin si një përpjekje për të “eliminuar kapacitetet bërthamore dhe raketore të Teheranit.”
“Kjo nuk është një operacion që zgjat vetëm disa orë apo ditë. Ai do të vazhdojë deri sa të arrijmë objektivat tona,” tha Netanyahu në një deklaratë për shtyp.
Sipas Axios, shërbimet izraelite të inteligjencës kishin punuar për tetë muaj për përgatitjen e këtij plani.
Operacioni përfshin:
Bombardime ajrore të shënjestruara;
Likuidime të figurave kyçe në Iran;
Misione të fshehta sabotuese në terren, të realizuara nga agjentët e Mossad-it brenda territorit iranian.
Burime izraelite thanë për Axios se plani u aktivizua pas një sulmi hakmarrës të Iranit ndaj Izraelit në tetor të vitit të kaluar. Informacionet e inteligjencës tregonin se Irani po përshpejtonte zhvillimin e armëve bërthamore dhe po ndërtonte një objekt nëntokësor të pasulmueshëm, edhe nga bombat më të avancuara.
Brenda orëve të para të sulmit, ushtria izraelite konfirmoi vrasjen e dy shkencëtarëve bërthamorë iranianë dhe të paktën tre udhëheqësve të lartë ushtarakë, përfshirë komandantin e Gardës Revolucionare dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit.
Irani ka reaguar ashpër dhe ka paralajmëruar hakmarrje, duke kërcënuar se do të godasë si objektiva izraelite, ashtu edhe baza ushtarake amerikane në rajon.
“Ne do të përgjigjemi në kohën dhe vendin e duhur,” tha një zyrtar i lartë iranian të premten.
Alarm ndërkombëtar për përshkallëzimin – Evropa kërkon takime urgjente
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim serioz për rrezikun e një konflikti të përgjithshëm, ndërsa fuqitë evropiane janë duke organizuar takime emergjente për të diskutuar marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm.
Ekspertët paralajmërojnë se situata është jashtëzakonisht e paqëndrueshme dhe se çdo hap i mëtejshëm mund të shkaktojë një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme.