Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën administratën e Presidentit Donald Trump, kanë lëshuar një telegram diplomatik ku u kërkojnë shteteve partnere të mos marrin pjesë në takimin e ardhshëm të Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, takim i cili pritet të mbahet javën e ardhshme dhe do të bashkë-organizohet nga Franca dhe Arabia Saudite.
Në kabllogramin diplomatik, të siguruar nga agjencia Reuters, SHBA paralajmëron se pjesëmarrja në këtë samit mund të sjellë pasoja diplomatike, duke e cilësuar takimin si një përpjekje që minon procesin për ndaljen e luftës në Gaza dhe lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi.
Në dokument thuhet se çdo përpjekje për njohje të njëanshme të Palestinës si shtet sovran do të sjellë “pengesa serioze ligjore dhe politike” për zgjidhjen e konfliktit dhe do të “forcojë armiqtë e Izraelit”. Po ashtu, SHBA thekson se çdo vend që ndërmerr masa që mund të konsiderohen si “kundër Izraelit” pas këtij takimi, do të shihet si veprim kundër interesave të politikës së jashtme amerikane.
Kabllogrami shpreh edhe shqetësimin se njohja e njëanshme e Palestinës mund ta shndërrojë simbolikisht 7 tetorin – datën e sulmit të Hamasit më 2023 – në një “ditë pavarësie” për palestinezët.
Përkundër presionit amerikan, mediat ndërkombëtare si Axios raportojnë se Franca është duke u përgatitur që ta njohë zyrtarisht Palestinën gjatë samitit të përbashkët me Arabinë Saudite, duke u bërë shteti i parë perëndimor që ndërmerr një hap të tillë.
Ky zhvillim vjen në kohën kur rritet pakënaqësia ndërkombëtare ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza dhe për shkak të numrit të madh të viktimave civile. Disa shtete perëndimore, përfshirë Britaninë, Kanadanë, Australinë, Zelandën e Re dhe Norvegjinë, kanë vendosur sanksione ndaj dy ministrave izraelitë, të cilët akuzohen për nxitje të dhunës ndaj palestinezëve.
Megjithëse zyrtarisht Uashingtoni deklaron se e mbështet zgjidhjen me dy shtete, administrata Trump nuk e ka përforcuar këtë qëndrim në mandatin e dytë. Madje, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, në një intervistë për Bloomberg, tha se “një shtet i pavarur palestinez nuk është më objektiv i politikës së jashtme të SHBA-së.”
Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka reaguar kundër sanksioneve të vendosura ndaj zyrtarëve izraelitë dhe ka theksuar se SHBA nuk mbështet asnjë formë të ndëshkimeve ndaj Izraelit, përfshirë sanksione apo bojkotime.
Nëse Franca vendos të njohë zyrtarisht shtetin palestinez, kjo mund të shkaktojë një përplasje diplomatike me Uashingtonin, duke e thyer konsensusin perëndimor për Lindjen e Mesme. Megjithëse presioni amerikan mund të ndikojë në tërheqjen e shteteve më të vogla, një vendim i tillë nga një fuqi si Franca mund të nxisë edhe vende të tjera të ndjekin shembullin.
Takimi në OKB, i planifikuar për javën e ardhshme, mund të shënojë një kthesë në qëndrimin diplomatik global ndaj çështjes izraelito-palestineze.