Një ish-i burgosur i Spaçit, Agron Talo ka rrëfyer në një intervistë për “People” kalvarin e vuajtjeve që ka përjetuar në atë që ai e cilëson si “kamp shfarosjeje dhe pune të detyrueshme”.
Ai apeloi që burgu i Spaçit të restaurohet ashtu siç ka qenë, pa u zbukuruar apo idealizuar, në mënyrë që të shërbejë si një muze i vërtetë i kujtesës historike.
“Unë punoja 8 orë në minierë, me turne, duke mbushur vagona me mineral. Aty nuk ishte kamp pushimi, por kamp shfarosje. Nëse nuk e bëje punën, të rrihnin keq, të mbysnin në dru”, thotë ai.
Ai tregoi se kampi po degradohet dita-ditës dhe pjesë të rëndësishme të infrastrukturës po shkatërrohen:
“Po prishet gjithçka. Është shkatërruar edhe kuzhina, që ne e quanim ‘kuzhina private’, vetëm tullat i kishin mbetur”, tha Agron Talo.
Ish-i burgosuri kujton me revoltë edhe sjelljen e oficerëve të kampit, që shpesh i mbanin për orë të tëra në kushte ekstreme:
“Kur ishte ndonjë oficer i keq, na mbante për një orë në shi në tarracë, gjatë apelit. Kur ishte ndonjë më i mirë, e bënte thjesht si procedurë, pa na nxjerrë fare jashtë,” tha ai.
Ai kërkon që Spaçi të kthehet në muze kujtese, jo për të dekoruar të kaluarën, por për ta treguar ashtu siç ishte: një vend vuajtjeje dhe represioni, që nuk duhet harruar.
