Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dorëzuar kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e caktuar ndaj tij në tetor të vitit të kaluar nga Gjykata e Posaçme.
Avokati i tij mbrojtës ka argumentuar në kërkesë shkeljen e afateve, pasi prej 8 muajsh nuk ka marrë asnjë informacion dy mujor nga SPAK për ecurinë e hetimeve.
Në 9 qershor, Prokuroria e Posaçme zgjati me 3 muaj hetimet ndaj Metës, një vendim ky që mbrojtësi i ish-presidentit ka paralajmëruar se do ta ankimojë, duke e cilësuar si të paligjshëm.
Meta, së bashku me ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi, akuzohen nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Ai u arrestua më 21 tetor 2024 në hyrje të Tiranës gjatë kthimit nga Kosova, në një arrestim që u shoqërua me pamje virale të dhunës gjatë shoqërimit.
Më 27 maj 2025, SPAK zyrtarizoi akuzat ndaj tij, duke përfshirë edhe çështjen “CEZ-DIA” dhe lobimin për LSI-në në SHBA. Hetimet vijojnë, ndërsa Meta kërkon një masë sigurie më të butë.