Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në autostradën Fier-Lushnjë në Shqipëri, në afërsi të fshatit Saver, ku janë përfshirë dy automjete.
Të lënduar kanë mbetur 7 persona, prej të cilëve 3 ndodhen në gjendje të rënduar shëndetësore.
Sipas informacioneve paraprake, të siguruara nga Top Channel, një furgon tip “Benz”, që transportonte pasagjerë drejt Aeroportit të Rinasit, është përplasur nga pas nga një automjet tip Benz AMG 63, gjatë një parakalimi.
Pas përplasjes së fortë, automjeti AMG 63 është përfshirë nga flakët. Të lënduarit janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lushnjes, ku po marrin trajtim të specializuar.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit.