Azemi i reagon ashpër Muratit: “Mashtrim me pagën mesatare – 106 mijë punëtorë kanë ikur nga vendi”

by informim peje

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratës së ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili së fundmi ka thënë se paga mesatare bruto në Kosovë për vitin 2024 është 598 euro.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi e ka cilësuar këtë deklaratë si përpjekje për mashtrim të opinionit publik dhe shmangie nga realiteti i rëndë me të cilin përballen punëtorët e sektorit privat. Ai tha se mijëra qytetarë po e braktisin Kosovën për shkak të pagave të ulëta, kushteve të vështira të punës dhe mungesës së përkujdesjes institucionale.

banner

“Më vjen keq që ministri Murati bie në atë nivel. Ai është ministri im i Kosovës, por me deklaratat që del dhe i thotë në opinion, më vjen turp. Në vitin 2024 kanë ikur 106 mijë punëtorë për shkak të pagave, mungesës së sigurisë dhe mosrespektimit të kushteve në sektorin privat”, theksoi Azemi.

Ai e akuzoi ministrin Murati për mungesë të veprimeve konkrete në mbështetje të punëtorëve dhe për shpërndarje të informatave të paqëndrueshme vetëm për të tërhequr vëmendjen e opinionit përkohësisht.

“Paga nën minimum, edhe në Universitetin e Prishtinës”
Azemi shtoi se situata në sektorin privat është shqetësuese dhe se pagat që marrin shumë punëtorë janë nën kufirin e pagës minimale të përcaktuar me vendim qeveritar – vendim që sipas tij, vetë ministri Murati nuk po e zbaton.

“Kemi punëtorë që me vendimet e qeverisë marrin vetëm 232 euro. Ky ministër nuk ndërhyn, nuk zbaton vendimet që vetë i ka nxjerrë. A ka më keq se veteranët e luftës me 170 euro? Është tepër shqetësuese”, shtoi ai.

Kryesindikalisti përmendi edhe shembuj konkretë siç është rasti i 400 punëtorëve në Universitetin e Prishtinës, të cilët sipas tij marrin paga të jashtëligjshme, duke u paguar nën nivelin minimal të garantuar.

“Kjo listë e dërguar në Inspektoratin e Punës është vetëm për disa vendpunime, ku punëtorët marrin 232 apo 292 euro. Përderisa ministri nxjerr vendime për rritje pagash, duhet t’i tregojmë opinionit pse ato vendime nuk zbatohen. Për këtë dështim, përgjegjës është vetë ai që i ka nxjerrë dhe nuk i ka zbatuar”, theksoi Azemi.

Kërkesë për transparencë dhe përgjegjësi
Azemi kërkoi transparencë dhe llogaridhënie nga qeveria dhe ministria përgjegjëse, duke theksuar se realiteti i sektorit privat është krejt ndryshe nga shifrat që prezantohen në publik.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur presioni për përmirësimin e kushteve të punës në sektorin privat është në rritje, ndërsa shumë sindikata dhe organizata shoqërore kanë ngritur zërin për mungesë të veprimeve konkrete nga ana e institucioneve qeveritare.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy