Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 250-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Amerikane, duke e cilësuar këtë një ditë historike për një nga institucionet më të respektuara të demokracisë perëndimore.
Në një postim në Facebook, Haradinaj shprehu mirënjohjen dhe respektin e thellë për sakrificën, trimërinë dhe përkushtimin e pjesëtarëve të ushtrisë amerikane, duke theksuar se ata mbeten një frymëzim i përhershëm për Ushtrinë e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj.
“Në këtë ditë historike, shpreh urimet më të përzemërta për popullin amerikan dhe pjesëtarët e institucioneve mbrojtëse të ShBA-së, për 250-vjetorin e krijimit të Ushtrisë Amerikane”, shkroi Haradinaj.
Ai theksoi gjithashtu se Kosova do të mbetet përjetësisht mirënjohëse për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në momentet më kritike të historisë së saj, veçanërisht në periudhat e luftës dhe shtetndërtimit.
“Përjetë falënderues për mbështetjen në momentet më vendimtare të historisë sonë”, shtoi ai.