Izraeli po vazhdon me operacionet e tij për të eliminuar udhëheqës ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë, në atë që e quan një përpjekje për të frenuar ambiciet bërthamore të Iranit. Kështu bën me dije agjencia e lajmeve Tasnim, si dhe burime të tjera ndërkombëtare, përfshirë Skynews.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, tre shkencëtarë bërthamorë iranianë, të identifikuar si Ali Bakaei Karimi, Mansour Asgari dhe Saeid Borji, janë vrarë në sulme izraelite.
Këta tre emra shtohen në gjashtë të tjerë të raportuar më parë nga Irani, duke e çuar numrin total të shkencëtarëve bërthamorë të vrarë në nëntë, shifër kjo që përputhet me pretendimet e ushtrisë izraelite.
Përveç shkencëtarëve, Izraeli ka eliminuar edhe disa komandantë të lartë ushtarakë iranianë, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme palës iraniane. Këto zhvillime të fundit kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi bisedimet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për një marrëveshje bërthamore, duke shtuar tensionet në rajon.