Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK), Hysen Sogojeva, ka ngritur alarmin për krizën e thellë që po godet sektorin hotelier dhe turistik si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike për 16.1 për qind. Ai paralajmëron se shumë biznese janë në prag të falimentimit dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Sogojeva tha se bizneset në shtatë regjione të Kosovës tashmë kanë marrë faturat me rritje, dhe situata po bëhet e papërballueshme, sidomos për sektorin që ende po rimëkëmbet nga humbjet e pandemisë.
“Edhe ashtu bizneset hoteliere-turistike nga pandemia ende nuk janë kthjellur sa duhet. Me këtë shtrenjtim të rrymës ka kompani që janë në prag të falimentimit”, deklaroi ai.
Sipas Sogojevës, përveç energjisë, kostoja e produkteve bazë është rritur ndjeshëm që nga viti 2021, duke vënë në presion të madh operatorët turistikë dhe hotelierë, të cilët deri më tani kanë ruajtur çmimet me marzhe të vogla për të mos humbur klientelën.
“Produktet bazë janë shtrenjtuar ndjeshëm. Nëse i llogarisim, çmimet janë dyfishuar. Dhe tani me këtë rritje të rrymës, detyrimisht do të ketë edhe rritje të çmimeve të shërbimeve”, theksoi ai, duke paralajmëruar se rritja do të jetë e kujdesshme për të mos ndikuar negativisht në numrin e vizitorëve.
Ndër të tjera, Sogojeva shprehu shqetësimin për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në sezonin veror, ku tradicionalisht sektori i turizmit shpreson për rritje të kërkesës, sidomos nga diaspora.
“Kjo ndikon dukshëm në zhvillimin e turizmit. Kemi lëvizje të mëdha jashtë Kosovës. Diaspora nuk është më ajo që vjen e pushon gjatë. Me këtë situatë, do ta kemi shumë të vështirë të përballemi”, tha ai.
Sogojeva i bëri thirrje qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të ndërhyjnë sa më parë për të ndalur trendin e rritjes së çmimeve të energjisë dhe për të ofruar mbështetje të qëndrueshme për sektorin.
“Kërkojmë nga institucionet, qeveria dhe ZRRE-ja që të gjejmë një rrugë ose mënyrë që të kalojmë këtë krizë. Kjo është në dëm të drejtëpërdrejtë të bizneseve tona”, përfundoi ai.
OHTK ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin së bashku me odat tjera ekonomike për të adresuar këtë çështje dhe për të kërkuar zgjidhje që parandalon rënien e mëtejme të sektorit hotelier dhe turistik në Kosovë.