Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës tha se “zgjidhja e vetme është që Lëvizja Vetëvendosje të reflektojë”, ndërsa u ndal të flasë para gazetarëve pas dështimit të 32-të të konstituimit të Kuvendit.
Vlora Çitaku kërkoi që presidentja Vjosa Osmani ta marrë “një rol më aktiv” për ta zgjidhur ngërçin politik.
“Në këtë rast, zgjidhja e vetme është që Lëvizja Vetëvendosje të reflektojë. Mirëpo, në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje edhe Presidentes që të marrë një rol më aktiv, sepse në kuadër të kompetencave të saj është edhe mbarëvajtja dhe funksionimi demokratik i institucioneve”, tha ajo.
Deputetja tha se LVV-ja po e mban të bllokuar Kuvendin.
“Kjo është një pengmarrje klasike. Psrtia Demokratike e Kosovës ka ofruar alternativë, ndonëse ne nuk e kemi asnjë detyrim që të votojmë kandidatin e LVV-së pa shumicë parlamentare. Megjithatë, për hir të zhbllokimit të situatës, ne kemi ofruar alternativë duke i propozuar Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë një nga 40 deputetët e tjerë që nuk kanë qenë pjesë e qeverisë”, tha ajo.
Duke iu përgjigjur kandidates së LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku tha se zgjidhja “nuk varet” nga partitë tjera.
“Ne nuk votojmë nën diktat. Nuk mund të votohet një kryetar Kuvendi nën diktat, pa marrëveshje politike. Kjo është tërësisht e paprecendent. Është pengmarrje. Kjo, për t’ua thjeshtësuar, është sikur unë të vijë me ju në kutinë e votimit dhe me diktat t’ju imponojë kë ta votoni ju, pa asnjë lloj marrëveshje politike”, tha ajo