E shpikëm “kosovarin”, vijon të mos trajtohet si e meriton në Shqipëri

Shkruan : Dom Mark Pashkja
Ky është nocioni që kemi “shpikur” këtej Morinës për të treguar shqiptarin e Kosovës. Sa ironike dhe e çuditshme! U regjën dhe u martirizuan për shqipen e për Shqipërinë, e prapë mbetën “kosovarë”.
Kur derdhnin gjak maleve të Dardanisë për të ardhur te ne, ne, në dritën e nanës parti të Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, gjetëm vëllanë te Titoja, kurse “kosovarët” me entuziazëm i përcollëm drejt Tivarit si kurban për vëllazërinë e re. Për 45 vjet u bëmë vëllezër me jugosllavin, rusin e deri kinezin, por ata mbetën prapë “kosovarë”. Rrëqethëse, shprehja që zbuloi dhe promovoi udhëheqja legjendare: “vëllezërit kinezë e miqtë tanë kosovarë”.
“Kosovarët”, materialisht, ishin shumë herë më mirë se ne, por donin të ishin me ne, që ishim më keq se ata. Edhe pse mund të lëviznin lirshëm në të gjithë botën, ëndrrat i shihnin prapë në vendin ku burgosëshe edhe për ëndrrat që shihje. Kur “liria” këtu kalonte nga përvjetori i vdekjes në përvjetor, nga Llapi në Drenicë e nga Anamorava në Dukagjin punohej për liri e për shqiptari. Kur në “kështjellën buzë Adriatikut” bëhej gjithçka me forcat tona, andej kufirit ishte punë kosovarësh…
Vitet ’90, sigurisht, ndryshuan shumë gjëra; lufta, përtej masakrave të papërshkrueshme mbi shqiptarët e Kosovës, dukej se pati një të mirë. Përveç shembullit patriotik të djelmnisë së Kosovës, që në mënyrë sublime u flijua për atdhe, ajo duket se përafroi — ku me hir e ku me pahir — këto dy zona shqiptare. Figura si Nanë Tereza, Ibrahim Rugova apo Adem Jashari rehabilituan fuqishëm identitetin tonë shqiptar.
Ata na dhanë shumë krenari e frymëzim, por çuditërisht nuk e fshinë konceptin e “kosovarit” nga zhargoni i këtej Morinës.
Në rrugët e Shqipërisë, “kosovari” mbetet prapë preja e preferuar e rrugorëve që patrullojnë, subjekti klasik i dyfishimit të çmimit në plazhe, në shumë bare apo hotele që përdorin. Jo më pak edhe i ndonjë takse rruge, edhe pse mund të vijë vetëm një herë në vit këtu. Jo pak herë përshpëritet shprehja e ulët: “Kosovari nuk kuptohet kur flet. Ata flasin çuditshëm, ose, si të thuash, shumë rëndë, ose shumë më trashë se malokët…” Shpeshherë, ai ka shumë karakteristika atipike, sepse ai është kosovari…
Prapëseprapë:
Kosovari merr makinën dhe shkon në plazh nga Velipoja në Sarandë dhe nuk e ndërron me Greqinë e as Kroacinë. Lë Kosovën duke luajtur në “Fadil Vokrri” dhe ndjek Shqipërinë në “Air Albania”. Krenarisht e përfaqëson dhe zgjedh ta veshë atë fanellë. Edhe pse, falë Zotit, ka flamurin e shtetit të vet, ai vazhdon dhe identifikohet me atë kuq e zi. Nuk di si do kishim folur në rrethana të anasjella.
Të gjitha këto kosovari i bën, sepse është shqiptar, ndoshta shumë më shumë se unë.
Dom Mark Pashkja është zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë