Barcelona dhe Monaco kanë rifilluar bisedimet për huazimin e Ansu Fati, pasi negociatat kishin ngecur më herët për shkak të kushteve financiare të marrëveshjes.
Fillimisht, Barcelona kërkonte që Monaco të mbulonte 80% të pagës së lojtarit, por klubi francez ofronte vetëm 30 përqind, tani, Monaco ka rritur ofertën në 40 përqind.
Barcelona pritet të pranojë këtë kompromis dhe të mbulojë 60 përqind të pagës, duke hapur rrugën për finalizimin e marrëveshjes.
Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, java e ardhshme do të jetë vendimtare për të ardhmen e tij. Të dy klubet, por edhe vetë Ansu Fati, janë të interesuar që situata të zgjidhet sa më shpejt.
Marrëveshja që po diskutohet është për një huazim njëvjeçar, me qëllim që Fati të ketë më shumë minuta loje dhe të rikthejë formën.
Në kontratë pritet të përfshihet edhe një klauzolë blerjeje prej rreth 15 milionë eurosh. Monaco insiston që kjo klauzolë të jetë opsionale dhe jo e detyrueshme.
Barcelona ka pranuar këtë kusht, dhe një marrëveshje përfundimtare mund të arrihet në ditët në vijim, nëse nuk ka ndryshime të fundit në qëndrimin e ndonjë pale.