Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kanë ndërmarrë një operacion në Prizren, gjatë të cilit janë kontrolluar disa lokale të natës.
Policia thotë se katër personave u janë gjetur thika në brez, ndërsa një personi një armë zjarri.
Pesë të dyshuarit janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Mbrëmjen e datës 14.06.2025, Stacioni Policor në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka ndërmarrë një operacion të planifikuar me qëllim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike. Gjatë këtij operacioni janë kontrolluar disa lokale të natës (bar-lounge), ku si rezultat i kontrollit policor, katër personave të dyshuar u janë gjetur mjete të mprehta (thika) në brez, ndërsa një personi tjetër i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri. Pesë të dyshuarit janë arrestuar, intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë. Armët dhe mjetet e sekuestruara do të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale që është iniciuar ndaj të dyshuarve për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe në parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme.”