Lideri suprem i Iranit është mbështetur për muri – një situatë që ai është munduar ta shmangë gjatë gjithë jetës së tij.
Jason Burke, The Guardian
Në shfaqjen e tij të parë publike pas pesë vitesh, në tetor, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Hosseini Khamenei, dha një mesazh të prerë: Izraeli “nuk do të zgjasë shumë”, kështu tha ai para dhjetëra mijëra mbështetësve në një xhami në Teheran, gjatë një predikimi të së premtes. “Duhet të përballemi me armikun ndërkohë që forcojmë besimin tonë të palëkundur,” deklaroi 84-vjeçari.
Disa ditë më herët, me bomba të mëdha të hedhura mbi selinë e grupit islamik në Bejrut, Izraeli kishte vrarë Hassan Nasrallah-in, sekretarin e përgjithshëm veteran të Hezbollahut. Ky atentat ishte një goditje personale për Khamenein, i cili e njihte Nasrallah-in prej dekadash.
Ndërsa, edhe ofensiva ajrore izraelite kundër Iranit, e nisur të premten, është një tjetër goditje e rëndë. Ajo ka nxitur më shumë sfida nga Teherani dhe një breshëri raketash e dronësh të lëshuar drejt Tel Avivit – por duket se asgjë nga këto nuk po ndalon sulmet izraelite. Mbrojtja ajrore e Iranit rezulton joefektive dhe koalicioni i milicive islamike që Khamenei kishte ndërtuar për të frenuar Izraelin, është praktikisht i shpërbërë.
Khameneit tani i kanë mbetur shumë pak opsione – një situatë që ky revolucionar i kujdesshëm, pragmatik, konservator dhe i pamëshirshëm është përpjekur gjithmonë ta shmangë.
I lindur si djali i një kleriku të rëndomtë në qytetin e shenjtë të Mashhadit në lindje të Iranit, Khamenei ndërmori hapat e parë si radikal në atmosferën e tensionuar të fillimviteve 60-ta. Në atë kohë, shah Mohammad Reza Pahlavi kishte nisur një projekt madhor reformash, që u refuzua gjerësisht nga klerikët konservatorë të vendit.
Si student fetar i ri në Qom, një qendër teologjike, Khamenei u përthith nga traditat e Islamit Shiit dhe nga idetë e reja radikale të udhëheqësit në ngjitje të opozitës konservatore, Ajatollah Ruhollah Khomeini. Në fund të viteve 60-ta, ai drejtonte misione të fshehta për Khomeinin, i cili ishte në mërgim, dhe organizonte rrjete aktivizmi islamik.
Khamenei u ndikua edhe nga ideologji të tjera. Edhe pse vetë ishte një admirues i letërsisë perëndimore, sidomos i Tolstoit, Hugo-s dhe Steinbeck-ut, ai u përthith gjithashtu nga ideologjitë anti-koloniale dhe ndjesia anti-perëndimore e kohës. U takua me mendimtarë që përpiqeshin të përzienin marksizmin me islamizmin për të krijuar ideologji të reja. Ai përktheu në persisht veprat e Sayyid Qutb-it, një egjiptian që do të frymëzonte gjenerata ekstremistësh islamikë.
Edhe pse u burgos disa herë nga shërbimet famëkeqe të sigurisë, Khamenei mori pjesë në protestat e fuqishme të vitit 1978 që detyruan shahun të ikte nga pushteti dhe i dhanë mundësi Khomeinit të rikthehej. Si mbrojtës i klerikut të pamëshirshëm, ai u ngjit shpejt në hierarkinë e regjimit radikal që mori pushtetin dhe në vitin 1981, pasi i mbijetoi një atentati që e la me njërën dorë të paralizuar, u zgjodh president – një post më shumë ceremonial.
Kur Khomeini vdiq në 1989, pasi u ndryshua kushtetuta për të lejuar dikë me kualifikime më të ulëta klerikale të merrte rolin, Khamenei u përzgjodh si pasardhës, tashmë me shumë më tepër fuqi. Ai e përdori shpejt këtë pushtet për të konsoliduar kontrollin mbi aparatin e gjerë dhe të fragmentuar të shtetit post-revolucionar iranian.
Një nga bazat kryesore të pushtetit ishte Garda Revolucionare Islamike (IRGC), zemra aktive e regjimit të ri dhe një forcë e fuqishme ushtarake, sociale dhe ekonomike. Por Khamenei gjithmonë kujdesej të krijonte aleanca të tjera të fuqishme dhe klientë besnikë.
Gjatë viteve të 90-ta, ai e forcoi më tej kontrollin e tij, eliminoi kundërshtarët dhe shpërbleu besnikët. Madje edhe poetët që dikur kishte admiruar, u persekutuan nga shërbimet e sigurisë. Disidentët jashtë vendit u ndoqën dhe marrëdhënia me Hezbollahun u konsolidua më tej, me ndihmën e IRGC-së që e kishte themeluar atë në fillim të viteve ’80.
Ai gjithmonë ndoqi strategjinë e tij për të përparuar në mënyrë pragmatike parimet e ngurta të projektit që i kishte lënë mentori i tij.
Në vitin 1997, kur reformisti Mohammad Khatami fitoi presidencën me një shumicë dërrmuese, Khamenei i dha njëfarë lirie veprimi, por punoi vazhdimisht dhe shpesh me forcë për të mbrojtur bërthamën e regjimit dhe ideologjinë e tij nga çdo sfidë serioze.
Khamenei nuk e ndaloi përpjekjen e Khatamit për të hapur dialog me Uashingtonin pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe, duke ndjekur shembullin e Khomeinit, deklaroi publikisht kundërshtimin ndaj armëve të shkatërrimit në masë.
Por ai gjithashtu mbështeti përpjekjet e Gardës Revolucionare për të vrasjen e trupave amerikane në Irak pas pushtimit të vitit 2003, duke e zgjeruar ndikimin iranian në rajon. Kjo shënoi përhapjen më të madhe të strategjisë së tij për të projektuar pushtet dhe për të frikësuar Izraelin – të quajtur “Djalli i Vogël” nga revolucionarët e vitit 1979 (përballë “Djallit të Madh” që ishte SHBA).
Khamenei ishte skeptik ndaj marrëveshjes bërthamore të negociuar me SHBA-në dhe vendet e tjera, por nuk e kundërshtoi zbatimin e saj në vitin 2015. Analistët debatojnë nëse ai është përpjekur të frenojë apo inkurajojë linjën e ashpër brenda Gardës për ndërtimin e një arme bërthamore.
Valë të njëpasnjëshme protestash dhe përpjekjesh për reforma në vend janë përballur me shtypje të egër, përfshirë masa të ashpra ndaj grave, komunitetit LGBTQ+ dhe pakicave fetare. Këto, së bashku me përkeqësimin e situatës ekonomike, kanë zhgënjyer shumë mbështetës të dikurshëm të regjimit dhe kanë thelluar zemërimin popullor.
Jashtë vendit, Khamenei ka investuar shumë në të ashtuquajturin “bosht i rezistencës” – Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban, Houthit në Jemen dhe një përzierje milicish islamike në Siri e Irak. Mund të dukej si një taktikë e zgjuar, por tashmë ka rënë nën peshën e sulmeve izraelite, ndërsa aleanca historike me Damaskun u zhduk me rënien e regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor.
Duke jetuar me gruan dhe fëmijët në një kompleks në Rrugën Palestina të Teheranit, Khamenei ka theksuar vazhdimisht jetesën e tij modeste. Megjithatë, disa skeptikë dyshojnë në autenticitetin e kësaj paraqitje, por reputacioni për thjeshtësi e ka mbrojtur atë nga një pjesë e zemërimit popullor.
Për më shumë se tre dekada në pushtet, Khamenei është përpjekur të balancojë presionet e forcave të kundërta brenda Iranit, të shmangë luftën e drejtpërdrejtë dhe të ruajë trashëgiminë e Khomeinit – dhe, sigurisht, pushtetin e tij dhe të rrethit të ngushtë besnik.
Tashmë ai është i sëmurë. Spekulimet për pasardhësin janë të shumta. Karriera e gjatë po i afrohet fundit me sfidën më të madhe të jetës së tij. Balanca brutale që e mbajti në pushtet, mund të përfundojë së shpejti