Presidenti i SHBA, Donald Trump në një deklaratë të fundit rreth situatës mes Izraelit dhe Iranit ka përmendur çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke paralajmëruar se do t’i rikthehet bisedimeve për ta rregulluar atë siç thekson në postimin e tij në rrjetet sociale.
Bekim Çollaku, ish-ministër i Integrimit Evropian në Kosovë tha në një intervistë për Euronews Albania se deklarata e Trump është dëshmi e qartë se administrata e re e SHBA ka një memorie të qartë për atë që ka ndodhur në Kosovë.
Sipas tij, edhe nëse ka një vullnet të mirë nga SHBA për t’u ri përfshire në zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, klima politike në Kosovë do ta bëjë të vështirë këtë gjë.
“Postimi i djeshëm i Trump është e mikpritur dhe një dëshmi e qartë që me gjithë problemet administrata e tanishme ka një memorie të qartë për atë që ka ndodhur në Kosovë dhe duke parë që konflikti shekullor nuk është zgjidhur me një marrëveshje përfundimtare… mendoj se është një gjë e dobishme, nëse do kemi një ripërfshirje të Trump për ta përmbushur pjesën më të vështirë. Marrëveshja e parë e nënshkruar në Uashington ishte ekonomike, tjetra duhet të jetë politike. Nëse del se është një fillim i ri duhet të kemi qasje edhe nga Kosova edhe nga Serbia, por në Kosovës asgjë nuk është gati, Kosova është e zhytur në moçalin politik. Këtu nuk do gjejnë njeri për të negociuar, paqja mund të negociohet vetëm nga liderë të vërtetë, jo praktikantë” , tha ish-ministri.