Kur një producent si Cricket bashkon forcat me një zë të ri si Ada Verdi dhe një emër të konsoliduar si Majk, rezultati është një këngë që nuk kalon pa u vënë re.
“Kjo Dashni” është projekti më i ri muzikor që sapo ka dalë në platforma, dhe që sjell një përzierje interesante të emocioneve me tinguj modernë, në një prodhim të realizuar tërësisht nga vetë Cricket – nga muzika, tek miksimi dhe finalizimi i plotë.
Vokali i ngrohtë dhe melodik i Verdit krijon kontrastin e duhur me timbrin e drejtpërdrejtë të Majk, i cili vjen me stilin e tij të njohur.

Cricket, i cili prej vitesh është një nga emrat më të përfolur në prapaskenat e industrisë muzikore shqiptare, konfirmon edhe një herë sensin e tij të fortë për krijimin e balancës mes komercialitetit dhe ndjenjës artistike.
Kënga është shoqëruar edhe me videoklip, e tani ndodhet në platformën YouTube.

Me klipin veror e interpretimet unike, pritet të jetë një nga këngët më të komentuara të fillim-verës.