Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka komentuar deklaratën e fundit të Presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka paralajmëruar rikthimin e tij në çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Haziri e cilësoi këtë deklaratë si një moment që ka befasuar jo vetëm rajonin e Evropës Juglindore dhe partnerët evropianë, por veçanërisht qeverinë aktuale të Kosovës.
Sipas tij, ndonëse Trump e kishte përmendur dy herë Kosovën dhe ndërhyrjen e tij në procesin e dialogut me Serbinë gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, qeveria në Prishtinë nuk ishte e përgatitur për këtë rikthim të vëmendjes amerikane në rajon.
“Është befasuese për Prishtinën zyrtare, sepse nuk ka pasur një agjendë të qartë se si do ta menaxhojë këtë pjesë, në rast se ShBA-të rikthehen fuqishëm në këtë proces”, tha Haziri
Ai theksoi se përfshirja e Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut është jetike, por kërkoi nga qeveria e Kosovës që të jetë më e përgatitur dhe më proaktive në raport me zhvillimet ndërkombëtare që lidhen me Kosovën.