Kryetari i Vushtrrisë, Ferid Idrizi, ka deklaruar në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova se sfidat financiare po ndikojnë në menaxhimin e komunës, duke shkaktuar vonesa në projekte dhe subvencione.
Sipas tij, mosrealizimi i kontratës kolektive nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka sjellë pasiguri buxhetore dhe ka ndikuar në zvarritjen e pagesave për investime kapitale dhe subvencione.
Idrizi ka bërë të ditur se një pjesë e subvencioneve për bujqit, përfshirë mbështetjen për çmimin e qumështit dhe ujitjen e tokave, nuk janë ekzekutuar për shkak të mungesës së fondeve.
Ai ka theksuar se mungesa e mjeteve financiare ka detyruar komunën të shtyjë ose të kufizojë disa projekte të rëndësishme infrastrukturore.
Ndërkohë, ai apeloi për zgjidhje konkrete nga institucionet për të shmangur ndikimet negative në zhvillimin lokal.