Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për qasjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për emisionin “Rubikon”, Gjini theksoi se Kurti dhe ministrja e jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, janë të shkëputur nga realiteti politik dhe nuk arrijnë të ndërtojnë argumente të forta në arenën ndërkombëtare.
“Sot Serbia e ka qeverinë, i ka disa politikanë të shkathët, nuk po them më të mirët në botë, por disa të shkathët i ka. Ata i vendosin kontaktet me SHBA-në, bëjnë lobimin e tyre. Ne, përkundrazi, nuk kemi kush me na i bo argumentet. Ministrja jonë në detyrë është larg realitetit politik e gjeopolitik, e po aq më tepër edhe kryeministri”, deklaroi Gjini.
Ai gjithashtu kritikoi Kurtin për reagimin e tij pas deklaratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte pohuar se kishte ndaluar një luftë të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.
“Gjëja e parë që bëri Kurti pas kësaj deklarate ishte t’i vendoste kushte Amerikës, vetëm për të treguar se po përgatitej për zgjedhje”, u shpreh Gjini, duke shtuar se një udhëheqës i pjekur duhet të kishte reaguar me një deklaratë të sofistikuar dhe të mençur.
“Sipas meje, nëse ky njeri nuk është pjekur në këto pesë vjet, nuk ka me u pjek kurrë. Kosova është ajo që ka nevojë për Amerikën, e jo Serbia”, përfundoi Gjini.
Deklaratat e Gjinit vijnë në një kohë kur marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës mbeten në qendër të debatit politik, sidomos në raport me aleatin kryesor, SHBA-në.