Klubi i Futbollit nga Peja, FC BESA Peja pjesëmarrës në Ligën e Parë të futbollit të Kosovës, ka zyrtarizuar sot emërimin e trajnerit të ri të skuadrës, Fisnik Papuqi.
“Sot, në zyrat tona të reja, zyrtarizuam një ardhje me shumë peshë. I uruam mirëseardhje trajnerit tonë Fisnik Papuqi”, thuhet në komunikatën e klubit.
Papuqi, i njohur për karrierën e tij si lojtar dhe për kontributin e tij të mëparshëm me fanellën e Besës, pritet të sjellë një energji të re në ekip, duke ndërtuar dhe udhëhequr skuadrën me përvojën dhe karakterin e formuar ndër vite.
Nga FC BESA Peja theksojnë se ky është një hap i rëndësishëm në projektin e ringritjes së skuadrës, duke u mbështetur në figura që kanë jetuar me ngjyrat dhe frymën e qytetit.
“Mirë se erdhe në shtëpinë tënde, Fisi – rrugëtimi ynë vazhdon”, përmbyllet njoftimi i klubit.
Me këtë hap, FC BESA Peja synon një sezon të fortë në Ligën e Parë, duke i besuar drejtimin një emri që ka lidhje të ngushta me klubin dhe komunitetin futbollistik të qytetit.