Klima politike në Kosovë mund të përshkallëzohet edhe më shumë, pas një deklarate të fuqishme nga ministri në detyrë dhe deputeti i Kuvendit, Nenad Rashiq, i cili ka dalë publikisht kundër një vendimi të dyfishtë – të Qeverisë së Kosovës dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës – që ndalon vendosjen e flamujve serbë në hapësirat publike në Gazimestan me rastin e festës serbe “Vidovdani”.
Vendimi për të ndaluar ekspozimin e simboleve serbe për një festë që nuk njihet si zyrtare në Republikën e Kosovës është përshëndetur nga një pjesë e opinionit në Kosovë si një hap drejt forcimit të sovranitetit, por për Rashiqin kjo përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj të drejtave kushtetuese të komunitetit serb.
“Ne i kujtojmë publikut dhe të gjitha institucioneve përkatëse për të drejtat e garantuara të komunitetit serb”, ka thënë ai, në një deklaratë që më shumë se një thirrje për respektim të ligjit, është interpretuar si një sfidë e hapur ndaj autoritetit institucional të Kosovës.
Rashiq i shkon edhe më tej, duke kërkuar nga institucionet që të ndalojnë çdo “presion politik, diskriminim ose pengesë administrative” – fraza që në rrethana të tilla nxisin jo vetëm debat, por tension brenda koalicionit qeverisës dhe përtej tij.
Ky qëndrim vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm, ku institucionet e Kosovës përpiqen të ruajnë balancën mes rendit kushtetues dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve. Por shumë e shohin këtë deklaratë si një instrumentalizim politik të ndjenjave etnike, për ta kthyer një çështje administrative në një përplasje identitare.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka dhënë një reagim të drejtpërdrejtë ndaj deklaratës së Rashiqit, por presioni publik është në rritje. Tani topi është në fushën e institucioneve, kjo ngjarje mund të prvokoj pasoja përtej simbolikës së një flamuri.