Nën drejtimin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Tiranë po mbahet Samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku po marrin pjesë liderët më të lartë të rajonit, përfshirë edhe Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani është ndër të ftuarit kryesorë të këtij samiti të nivelit të lartë, ku po diskutohet mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal, me fokus “Nxitjen e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE”Përveç Presidentes së Kosovës, në samit po marrin pjesë edhe Presidentja e Sllovensë, Nataša Pirc Musar; Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović; Kryetarja e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Željka Cvijanović; Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova; si dhe Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i cili do të marrë kryesimin e radhës së SEECP-së për vitin e ardhshëm.
Të pranishëm janë gjithashtu Kryeministri i Serbisë, Đuro Macut; Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Moldavisë, Mihai Popșoi; Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan; Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Emilian Hurezeanu; Zëvendësministrja e Jashtme e Greqisë, Alexandra Papadopoulou; si dhe përfaqësues të lartë nga Kroacia, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).Samiti po shënon përmbylljen e një viti të suksesshëm të presidencës shqiptare të SEECP-së, e cila këtë vit ka pasur moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”. Shqipëria pritet t’ia dorëzojë kryesimin Bullgarisë në fund të muajit.