- Çdo të mirë Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Qeverinë.
Kushtetuta e Kosovës (Neni 72) ia ndalon shprehimisht që si deputet (i certifikuar nga KQZ dhe i betuar në Kuvend të Kosovës) të mund të ushtrojë post qeveritar.
Ligji për Qeverinë (që e ka shkruar vet) ia ndalon të jetë edhe si anëtar i qeverisë në detyrë që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
Aty kërkohet instantisht dorëheqja edhe si anëtar qeverie në detyrë.
Por, ‘çdo të mirë’ aktit më të lartë juridik të vendit dhe aktit ligjor që rregullon jetën institucionale: “Kosova ka qeveri”, tha deputeti Albin Kurti, si udhëheqës i saj.
Janë bërë rrafshë dy muaj që kur Vetëvendosja nuk ka shumicë parlamentare, gjënë kryesore dhe elementare në republikë parlamentare.
Historikisht Vetëvendosja nuk ka votuar kurrë për kryetarë kuvendi në legjislaturat e kaluara kur s’ishin në pushtet: tash akuzon partitë e tjera pse s’po ia votojnë propozimin e vet dhe kualifikuar si “shkelje kushtetuese”.
Kjo është hera e parë në histori të vendit dhe më gjerë kur një parti kërkon nga ish-opozita t’ia votojnë ngjitjen në pushtet: në këtë rast pushtetin e parë, atë legjislativ.
Lidhja Demokratike e Kosovës para mëse një muaji ka dorëzuar 17 kallëzime penale ndaj Albin Kurtit dhe shtatë anëtarëve të tjerë të qeverisë të zgjedhur deputetë.
“Qytetarë të thjeshtë kanë marrë vendime (ekzekutive) që nga 24 shkurti”, pati thënë Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Por, Kurti njofton se do të vazhdojë të jetë po i njëjti: deputet e kryeministër në detyrë.
“Kosova ka qeveri, e cila është qeveri në detyrë…ajo çfarë Kosova nuk ka, është parlamenti…deri në qeverinë e re, e kemi këtë qeveri në detyrë”, tha Kurti sot para gazetarëve.
Situata është e pastër kushtetuese dhe ligjore, Albin Kurti është veç deputet – dhe, atë që nga 27 marsi.
Me betim në Kuvendin e Kosovës si deputet i është hequr edhe çdo mëdyshje apo interpretim dredharak.
Neni 70 dhe 72 i Kushtetutës së Kosovës janë shpjegim i kulluar, bashkë me Nenin 26 të Ligjit për Qeverinë që e ka shkruar vetë Vetëvendosja.



Nga Lidhja Demokratike e Kosovës me kallëzime penalet synohej dëshmimi që çdo vendim i marrë nga ish-anëtarë të qeverisë në detyrë, Albin Kurti (etj.) është i pavlefshëm, nëse jo në përmbajtje: në procedurë.
“Çdo veprim i kryeministrit dhe ministrave të rizgjedhur deputetë, te cilët kanë dhanë betimin, nga dita e certifikimit e tutje, është i kundërligjshem”.
Kështu pati thënë Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, pyetur rreth sfidimit të LDK-së ndaj vendimeve të marra nga Kurti dhe pjesëtarë të kabinitetit të vet qeveritar të zgjedhur deputets.
Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu pati konstatuar qysh herët se qëndrimi i Kurtit dhe ministrave të vet të zgjedhur si deputetë ishte shkelje kushtetuese dhe ligjore.
Sipas Grudës, siç e pati cituar “Radio Evropa e Lirë”, nëse Albin Kurti, dhe anëtarët e tjerë qeveritarë, pas betimit si deputetë vazhdojnë punën në ekzekutiv, ata do të bënin “shkelje kushtetuese dhe vepër penale”.