Vrasje, dëbime e plaçkitje – Dosja e Prokurorisë ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejes

by Nexhat

Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës, u lexua aktakuza nga prokurori Ilir Morina, ndërkaq gjykatësja Violeta Namani-Hajra njoftoi se të akuzuarit mund të bëjnë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Fillimisht, prokurori Ilir Morina tha se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për mbajtjen e gjykimit në mungesë ndaj 53 të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi“

banner

Prokurori tha se për të akuzuarit janë lëshuar fletërreshtimet ndërkombëtare nga gjykatësit i procedurës paraprake, për sigurimin e tye.

Morina kërkoi të zhvillohet gjykimi duke respektuar në tërësi të drejtat dhe liritë themelores.

Më pas, gjykatësja e rastit Violeta Namani-Hajra, tha se Gjykata ka ndërmarrë veprimet ligjore, duke publikuar ftesën dhe aktakuzën në ueb-faqe të Gjykatës. Por, shtoi se prezent nuk është në sallë asnjë prej të akuzuarve.

Sipas saj, Gjykata është e bindur se janë bërë përpjekje për sigurimin e të akuzuarve, andaj Gjykata mori vendim që gjykimi të mbahet në mungesë.

Të akuzuarit do të mbrohen gjatë gjithë gjykimit nga mbrojtësit e tyre.

Më pas, prokurori Ilir Morina lexoi aktakuzën, ndërsa gjykatësja Namani-Hajra njoftoi se të akuzuarit brenda afatit prej 30 ditësh mund të bëjnë kundërshtimin e provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Krimi në Mejë dhe në fshatrat përreth ndodhi në prill të vitit 1999, kur u vranë 370 shqiptarë të Kosovës, trupat e të cilëve u gjetën më pas në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.

Aktakuza, e ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe e plotësuar në prill të vitit 2024, përfshin 53 persona, ndër të cilët i dyshuari kryesor është Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, komandant i Njësisë për Operacione Speciale (JSO), e formuar nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Serbisë në fillim të viteve ’90; Sreten Çamoviq, ish-shef i Sigurisë; Verolub Zhivkoviq, ish-shef i Shtabit të Korpusit të Prishtinës; Illija Todorov, ish-komandant i Brigadës së 63-të Parashutiste, dhe Dragan Zhivanoviq, ish-komandant i Brigadës së 52-të Raketore të Artilerisë.

Roli i JSO-së në luftën në Kosovë

Në fillim të dekadës së fundit të shekullit XX, Shërbimi i Sigurimit të Shtetit i Serbisë – i njohur më vonë si Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit, BIA – themeloi Njësinë për Operacione Speciale (JSO).

Në atë kohë, ky shërbim drejtohej nga Jovica Stanishiq – njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit të atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviq.

Dorë e djathtë e tij ishte Franko Simatoviq, i njohur si “Frenki”, themelues i JSO-së dhe përgjegjës për koordinimin e njësive paramilitare në frontet e luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në maj të vitit 2023, Gjykata në Hagë dënoi përfundimisht Stanishiqin dhe Simatoviqin me nga 15 vjet burg, për mbështetjen dhe inkurajimin e krimeve të luftës në Bosnje e Hercegovinë, në vitin 1992.

Ata u shpallën fajtorë për krime në Bijelinë, Doboj, Zvornik, Tërnovo, Sanski Most dhe Bosanski Shamac.

Njësia për Operacione Speciale, me këtë emër, mori pjesë edhe në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Në një intervistë për organizatën ndërkombëtare, Human Rights Watch, një polic serb që kishte shërbyer për gjashtë muaj në Kosovë më 1998, i përshkroi pjesëtarët e JSO-së, të njohur edhe si “Frenkistët”, si jashtëzakonisht brutalë.

“Frenkistët i vrasin të gjithë. Besomëni, nuk doni t’i shihni”, kishte deklaruar ai në një intervistë të përfshirë në librin e HRW-së “Me urdhër: Krimet e luftës në Kosovë”, i cili u botua në serbisht në vitin 2003 nga Samizdat B92.

Në mesin e të akuzuarve për krimet në Mejë dhe fshatrat tjerë përreth Gjakovës janë edhe zyrtarë të tjerë të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët akuzohen për planifikimin dhe zbatimin e operacionit “Reka”, gjatë të cilit u vranë 370 civilë shqiptarë

Ata akuzohen për vrasje, dhunë fizike dhe seksuale, tortura, plaçkitje dhe dëbim etnik të shqiptarëve.

Çka thotë aktakuza?

Në aktakuzë thuhet, mes tjerash, se secili i pandehur ka pasur rol të caktuar në organizimin dhe koordinimin e forcave nën komandën e tij.

Aksioni ka nisur më 27 prill 1999 dhe ka përfunduar më 29 prill 1999.

Hetimet kanë zbuluar se në fshatin Mejë janë vrarë 270 civilë dhe të pagjetur mbeten 13; në fshatin Korenicë janë vrarë 64 civilë dhe të pagjetur mbeten dy; në fshatin Pacaj është vrarë një civil; në fshatin Dobrosh janë vrarë tre civilë; në fshatin Rracaj është vrarë një civil dhe të pagjetur mbeten dy; në fshatin Nec janë vrarë dy civilë; në fshatin Ramoc janë vrarë pesë civilë; në fshatin Bishtazhin janë vrarë gjashtë civilë dhe i pagjetur mbetet një.

Hetimet kanë zbuluar se nga dhuna e ushtruar sistematike nga forcat serbe, banorët nga ky rajon janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, dhe pasi që pasuria e tyre është plaçkitur dhe shtëpitë u janë djegur, ata – të përballur me dhunë fizike dhe kërcënime me vrasje – janë dëbuar në drejtim të Shqipërisë.

Kolonat e njerëzve të dëbuar kanë qenë të detyruara të kalojnë nëpër tri pika kontrolli, të vendosura në fshatrat: Mejë, Korenicë dhe Orizë.

Sipas aktakuzës, forcat ushtarake-policore dhe paramilitare serbe i kanë ndarë shumë burra nga kolona dhe i kanë vrarë, ndërsa të tjerëve u janë marrë dokumentet e identifikimit, paratë dhe gjërat tjera me vlerë.

Nën fyerje dhe keqtrajtime fizike, ata janë detyruar më pas të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Aktakuza, po ashtu, thekson se krimet e kryera nga të pandehurit, si: vrasje, dëbim i popullsisë civile, plaçkitje e pasurisë, shkatërrim i pasurisë etj., në kohën e kryerjes, janë parashikuar me legjislacionin vendor të Jugosllavisë së atëhershme

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy