Agjencia e OKB-së: Qendra nëntokësore iraniane Natanz u godit nga sulmet izraelite

by Nexhat

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka thënë të martën se sulmet izraelite duket të kenë pasur “ndikim direkt” në pjesën nëntokësore të qendrës bërthamore iraniane Natanz.

“Bazuar në analizimet e vazhdueshme të pamjeve satelitore të rezolucionit të lartë, të siguruara pas sulmeve të së premtes, agjencia ka identifikuar elemente shtesë që sinjalizojnë ndikim direkt në hapësirat nëntokësore të pasurimit në Natanz”, ka bërë të ditur Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, organ i Kombeve të Bashkuara, përmes një postimi në X – dikur Twitter.

banner

Agjencia ka thënë se nuk ka vërejtur ndryshime në qendrat tjera në Esfahan dhe Fordou.

Sulmet janë pjesë e një fushate ajrore të Izraelit, të nisur kundër armikut të përbetuar për të pestën ditë me radhë, duke shënjestruar ushtrinë iraniane dhe programin bërthamor.

Kjo është hera e parë që Agjencia monitoruese e OKB-së ka vërejtur dëme nga sulmet në disa pjesë të qendrës në Natanz, e cila konsiderohet kryesore për programin bërthamor të Iranit.

Tashmë dihet se një qendër pasurimi mbi tokë është shkatërruar, ashtu sikurse pajisjet elektrike që sigurojnë rrymën në objektin nëntokësor.

Izraeli po vazhdon të sulmojë Iranin edhe të martën, derisa presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar të gjithë banorët e Teheranit që të evakuohen.

“IRANI NUK MUND TË KETË ARMË BËRTHAMORE”, ka shkruar Trump në rrjete sociale gjatë kthimit të tij nga Kanadaja në Uashington.

“Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë më vonë se nuk është në kërkim të një armëpushimi, sepse kërkon “diçka më të mirë sesa armëpushimi”.

I pyetur se pse u ka bërë thirrje banorëve që të evakuohen nga Teherani, ai ka thënë se dëshiron që “njerëzit të jenë të sigurt”.

Më herët gjatë ditës ushtria izraelite u ka bërë thirrje rreth 330.000 banorëve në një lagje të Teheranit që të evakuohen.

Teherani është një prej qyteteve më të mëdha të Lindjes së Mesme, me rreth 10 milionë banorë – shifër gati ekuivalente me gjithë popullsinë e Izraelit.

Njerëzit janë parë duke duke u larguar prej qytetit qysh prej prej nisjes së armiqësive.

Izraeli deklaron se sulmet kundër liderëve ushtarakë, shkencëtarëve bërthamorë iranianë, qendrave për pasurim të uraniumit dhe programit të raketave balistike, janë të domosdoshme për të parandaluar Iranin që të ketë armë bërthamore.

Sulmet kanë vrarë të paktën 224 njerëz në Iran.

Irani është hakmarrë duke nisur mbi 370 raketa dhe qindra donë në Izrael.

Deri më tani është raportuar për 24 persona të vrarë. Ushtria izraelite ka thënë se Irani ka nisur raketa të reja të martën dhe shpërthimet janë dëgjuar në veri të Izraelit. /REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy