Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme, e cila e ka miratuar padinë administrative të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) kundër Komisionit të Pavarur të Medieve (KPM), lidhur me ndryshimet në rregulloren e brendshme të këtij institucioni.
Sipas AGK-së, IKD-ja me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile, kishte ndërmarrë veprim ligjor ndaj vendimit të KPM-së për të shkarkuar Jeton Mehmetin nga posti i kryetarit të bordit dhe për të emëruar në vend të tij Besnik Berishën.
Ky ndryshim ishte bërë pas miratimit të një rregulloreje të re, të cilën Gjykata Supreme tashmë e ka shpallur të paligjshme.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme konstaton se rregullorja është miratuar në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës, transparencës dhe pjesëmarrjes publike, duke hedhur poshtë përpjekjet e KPM-së për të legjitimuar shkarkimin dhe emërimin e ri.
Në reagimin e saj zyrtar, AGK rithekson angazhimin që Komisioni i Pavarur i Medieve të funksionojë plotësisht i pavarur nga ndikimi politik, duke e konsideruar si shumë shqetësuese çdo përpjekje për kapje institucionale në sektorin e medias.
“Ndryshimi i rregullores ishte i kundërligjshëm dhe rrjedhimisht i tillë ishte edhe emërimi i kryetarit të ri të bordit,” thuhet në deklaratën e AGK-së, e cila kërkon kthimin e integritetit dhe profesionalizmit në rregullimin e mediave audio-vizuale në vend.