Deputetja e Vetëvendosjes me emrin Arbëreshë Kryeziu ka dalë me një konstatim se qytetarët e Kosovës “janë të irrituar” me mospjesëmarrjen e ish-partive opozitare në votim të të ashtuquajturit komision për votim të fshehtë për Albulena Haxhiu, e cila është rrëzuar për 33 herë me radhë.
Anipse s’kanë shumicë parlamentare, deputetja fajëson opozitën – por, pa merak vendi “ka qeveri në detyrë”, tha ajo.
“Vendi nuk ka mbetur pa institucione, siç duan ta paraqesin këta deputetë të papërgjegjshëm, që vijnë dhe nuk e ngritin dorën,” tha Kryeziu, siç e citoi Gazeta Blic.
“Jemi një qeveri në detyrë, e cila është në detyrë deri në momentin kur mandatohet si qeveri e plotë me votë të deputetëve”, shtoi ajo.
“Qeveria është aty, institucionet janë duke e bërë punën e tyre, pavarësisht që janë të limituar në funksionet që ata i kanë”, deklaroi ajo.