Vetëvendosjes i mungon shumica për votim të fshehtë. Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herën e 33-të radhazi të konstituohet, duke vazhduar krizën institucionale që po zgjat me muaj. Edhe në seancën e sotme, nuk u arrit shumica parlamentare për të miratuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Pavarësisht tentativave të shumta dhe thirrjeve për bashkëpunim nga të gjitha partitë politike, propozimi i Vetëvendosjes për krijimin e komisioni zgjedhor për administrimin e votimit të fshehtë mori vetëm 51 vota – numër i pamjaftueshëm për ta çuar përpara procesin.
Seanca, e cila zgjati vetëm 2 minuta e 17 sekonda, u mbyll nga kryesuesi Avni Dehari, njësoj si në rastet e kaluara.
“Seanca ndërpritet dhe do të vazhdojë pas 48 orësh,” deklaroi shkurt Dehari, pa pranuar diskutime të mëtejme.