Fluminense nuk ia ka arritur të kurorëzojë me fitore dominimin ndaj Borussia Dortmund në ndeshjen hapëse të Grupit F në Kupën e Botës për klube, duke barazuar pa gola, 0-0.
Skuadra braziliane, që vitin e kaluar ishte mposhtur në finalen e kësaj gare nga Manchester City, është rikthyer në këtë edicion të riformatuar dhe nga minuta e parë e ka imponuar lojën ndaj finalistit të Champions League nga edicioni i kaluar.
Krahët e shpejtë, me në krye Jhon Arias, kanë vënë në presion të vazhdueshëm mbrojtjen e Dortmund, ndërsa portieri gjerman Gregor Kobel ka qenë shpëtimtari i skuadrës së tij në disa raste.
Në anën tjetër, Borussia Dortmund, e udhëhequr nga trajneri Niko Kovac, ka pasur fare pak për të ofruar në sulm. Guirassy dhe Adeyemi nuk ia kanë arritur të lidhen në aksionet e pakta që kanë krijuar, ndërsa Julian Brandt ka dërguar një goditje të dobët në duart e portierit veteran të Fluminenses, dyzet e katër vjeçarit Fabio.
Pjesa e parë ka përfunduar me një ndjesi zhgënjimi për skuadrën e Renato Gauchos, e cila ka pasur më shumë nga loja, por nuk ka arritur të konkretizojë.
Në pjesën e dytë, ritmi i lojës ka rënë, por Fluminense ka vazhduar të jetë kërcënimi kryesor. Hercules ka humbur një rast të mirë, ndërsa rasti më i mirë ka qenë kur Everaldo ka shpërthyer me shpejtësi, por pasimi i tij drejt Canobbio nuk ka përfunduar në rrjetë falë ndërhyrjes vendimtare të Kobel.
As përforcimet nga pankina, si Jobe Bellingham apo Felix Nmecha, nuk i kanë ndihmuar gjermanët që ta ndryshonjnë rrjedhën e lojës. Në minutat e fundit, Kobel edhe një herë e ka shpëtuar Dortmund nga disfata, duke ndalur një tentativë të Nonatos nga afërsia