Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve në Air Force One se ai po kërkon “një fund të vërtetë” të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, duke argumentuar se kjo është më mirë se një armëpushim, ndërsa sugjeroi gjithashtu se dorëzimi i plotë nga negociatat është një mundësi, shkruan CNN.
I pyetur se çfarë është më mirë se armëpushimi, ashtu siç ka përmendur në një postim në Truth Social, Trump tha: “Një fund, një fund i vërtetë, jo një armëpushim. Një fund. Ose dorëzim i plotë. Edhe kjo është në rregull”.
Trump tha se pret që 48 orët e ardhshme të zbulojnë më shumë nëse Izraeli planifikon t’i ngadalësojë apo t’i përshpejtojë sulmet ndaj Iranit.
“Do ta shihni. Askush nuk është ngadalësuar deri tash”, tha Trump.
Trump planifikon të takohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në ‘Situation Room’ të martën.
I pyetur nëse përfshirja ushtarake e SHBA-së do të siguronte shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit, siç kanë thënë publikisht disa zyrtarë izraelitë, Trump u tha gazetarëve: “Shpresoj që programi i tyre të fshihet shumë përpara se të ndodhë kjo. Ata nuk do ta kenë një armë bërthamore”.
Përsa i përket thirrjes së tij për të evakuuar menjëherë Teheranin, Trump tha se nuk kishte një kërcënim specifik, por se ishte më e sigurt për njerëzit që të evakuoheshin duke marrë parasysh situatën në terren.
“Dua që njerëzit të jenë të sigurt… Gjithmonë është e mundur që diçka të ndodhë. Thjesht dua që njerëzit të jenë të sigurt”.
Sa i përket shqetësimeve për trupat apo asetet amerikane në rajon, Trump i quajti ata njerëz të shkëlqyer dhe tha se SHBA do të godiste “shumë fort” nëse Irani do t’i prekte: “Mendoj se ata e dinë që nuk duhet t’i prekin trupat tanë”.
I pyetur për raportet se ai po konsideron t’i dërgojë në takim me iranianët këtë javë nënpresidentin JD Vance dhe Steve Witkoff, Trump tha: “Mund të ndodhë. Mund të ndodhë. Varet nga ajo që ndodh kur të kthehem”.