Ditë e rëndësishme për futbollin kosovar, pasi tri klube që do të përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane do të mësojnë sot kundërshtarët e tyre në shortin që do të mbahet në selinë e UEFA-s.
Drita, kampione e Kosovës, do të garojë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, me shortin që nis në orën 14:00. Si skuadër bartëse, Drita ka disa opsione për kundërshtar, përfshirë Vikingur (Ishujt Faroe), Differdange (Luksemburg), Inter Club d‘Escaldes (Andorra) dhe Shelbourne (Irlandë) ose Egnatia (Shqipëri). Kjo hap mundësinë për një përballje shqiptare në Champions.
Prishtina, fituese e Kupës së Kosovës, do të marrë pjesë në Ligën e Evropës, me shortin që zhvillohet në orën 15:00. Bardhekaltrit mund të përballen me ekipe si Sheriff Tiraspol, NK Celje, Spartak Trnava dhe Shakhtar Donetsk, ky i fundit cilësohet si sfida më e vështirë e mundshme.
Malisheva, e renditur e treta në Superligë, do të luajë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, me shortin që nis në orën 16:00. Në mesin e kundërshtarëve potencialë janë Vikingur Reykjavik (Islandë), Floriana (Maltë), St Joseph’s (Gjibraltar) dhe Partizani (Tiranë), duke sjellë mundësinë për një tjetër derbi shqiptar.
Me këtë, klubet kosovare hyjnë në një fazë vendimtare të përgatitjeve për sezonin evropian, duke synuar rezultate të suksesshme dhe prezantim dinjitoz në garat ndërkombëtare.