Kosova po zbrazet: Mbi 17 mijë banorë më pak në vetëm një vit

by informim peje

Kosova ka shënuar një rënie të konsiderueshme të popullsisë rezidente gjatë vitit 2024, me një zvogëlim prej 17,525 banorësh, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në raportin vjetor të ASK-së theksohet se, ndonëse vendi ka pasur rritje natyrore të popullsisë me 10,888 lindje më shumë sesa vdekje, migrimi neto ka ndikuar negativisht në bilancin përfundimtar të popullsisë. Gjatë këtij viti, 37,451 persona kanë emigruar nga Kosova, ndërsa janë regjistruar vetëm 9,038 imigrime, duke sjellë një migrim neto prej -28,413 banorësh.

banner

Përveç migrimit ndërkombëtar, ASK raporton edhe për lëvizjet brenda vendit, ku 21,513 banorë kanë ndërruar vendbanimin apo komunën e tyre gjatë vitit 2024.

Në përfundim të vitit, popullsia rezidente e Kosovës u vlerësua në 1,585,590 banorë, një shifër që ngre shqetësime për institucionet dhe politikat demografike të vendit.

ASK thekson se këto të dhëna janë thelbësore jo vetëm për analizat statistikore, por edhe për planifikimin ekonomik, shërbimet publike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe politikat e punësimit. Agjencia rikujton se vlerësimi i përvitshëm i popullsisë është një praktikë standarde ndërkombëtare, për të reflektuar ndryshimet që ndodhin midis dy regjistrimeve të përgjithshme.

Për më shumë informacione, raporti i plotë është i qasshëm në faqen zyrtare të ASK, ku përfshihen të gjitha detajet statistikore dhe analizat përkatëse të vitit 2024.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy