Kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, me bashkëpunëtorë priti në takim një delegacion nga Komuna e Johnstonit, shteti Iowa, SHBA, duke shënuar një moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy komunave.
Në përbërje të delegacionit ishin Kryetarja e Komunës së Johnstonit, znj. Paula Dierenfeld, bashkëshorti i saj, ish-Shef i stafit pranë ish-Guvernatorit të Iowa-s, z. David Roederer, si dhe Menaxheri i qytetit të Johnstonit, z. Mike Pogge-Weaver.
Vizita e tyre në Pejë u zhvillua në përputhje me agjendën e paraparë për takimet në Kosovë.
Kryetari Muhaxheri shprehu mirënjohjen për vizitën e miqve amerikanë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe shoqëror. “Është nder dhe kënaqësi e veçantë të mirëpresim miqtë tanë nga SHBA-të në qytetin e Pejës.
Marrëveshja e miqësisë dhe bashkëpunimit me Komunën e Johnstonit përbën një themel të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të raporteve tona, në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë,” u shpreh ai.
Ky takim shërben si një hap tjetër në thellimin e lidhjeve ndërmjet Pejës dhe Johnstonit, duke hapur rrugën për projekte të përbashkëta dhe shkëmbim të praktikave të mira në administrimin lokal.