Partitë politike në vend kanë pikë-vështrime ndryshe për deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nga partia në pushtet – që përkundër se thotë se marrëdhëniet janë më të ngushtat – por që nuk e sheh Kosovën lartë në agjendën e Trumpit, e deri te PDK-ja e LDK-ja që thonë se Kosova duhet të bëhet gati.
Deklarata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, se në mandatin e parë ndali shpërthimin e luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar “do ta rregulloj sërish” problemin, e gjen spektrin politik në vend me pikëpamje të ndryshme.
Pasi përmendi rolin e SHBA-së në raport me Kosovën, ish-ambasadorja, deputetja e PDK-së Vlora Çitaku ishte kritike për qasjen e pushtetit në detyrë – duke thënë se ata e futën Kosovën nën sanksione nga vendet që e ndihmuan ta bëj shtetin.
“Kosova duhet të jetë e përgatitur jo vetëm për t’u përballur me çfarëdo oferte që mund të vijë nga SHBA-të, por me një botë që po ndryshon dramatikisht dhe shumë shpejtë. Fatkeqësisht, kryeministrit, ish-kryeministrit, deputetit Albin Kurti nuk i bëhet vonë. Ne jemi gati”, deklaroi Çitaku, raporton RTVDukagjini.
Teksa dha leximin e saj për deklaratën, shefja e grupit parlamentar të LV-së legjislaturën e kaluar, Mimoza Kusari, tha se bashkëpunimi me SHBA-në është më i ngushtë se kurrë – veçmas në fushën e mbrojtjes.
“Në të gjitha interpretimet tjera që po i dëgjoj, ka më tepër zell të brendshëm lokal për të përfshirë në një formë ose një tjetër, sesa që kam parë referencë të saktë me ngjarjet në Kosovë. Sot e dëgjova deri tek interpretimi se presidenti Trump ka bërë thirrje për konstituim të institucioneve, jam më se e bindur se me krejt çfarë po ndodhin në botë pak vëmendje ose fare vëmendje me si shtet ose si Ballkan kemi në agjendën e tij”, ka thënë Kusari-Lila
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ishte i përfshirë në Bisedimet e Vjenës, tha se deklarata e Trumpit ka befasuar këtë qeveri dhe rajonin, duke çuar mesazhin se popujt duhet të afrohet për paqe detyrimisht.
“E konfirmon qëndrimin e LDK-së që marrëveshja e Ohrit ka qenë e dëmshme, në katër provizione të saja është e keqe. Dhe, natyrisht, ne besojmë që në mes BE-së dhe administratës së Presidentit Trump do të ketë një koordinim sa i përket këtyre zhvillimeve. Por, mbi të gjitha roli i tij është i vecantë, pesha specifike e qëndrimit amerikan dhe presidenti Trump në procesin e paqes dhe në përmbylljen e shtet-ndërtimit në Kosovë do të jetë kritik, kështu që duhet të bëhemi gati”, deklaroi Haziri.
Në një reagim fillestar për deklaratën, të hënën, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se për zbatimin e marrëveshjes bazë duhet t’i bëhet trysni Serbisë.