Presidenti amerikan Donald Trump ka ndërprerë pjesëmarrjen e tij në samitin e G7-ës në Kanada dhe është nisur me urgjencë drejt Shtëpisë së Bardhë, për t’u bashkuar me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në Sallën e Situatave, raportojnë burime për ABC News.
Sipas informacioneve zyrtare nga Shtëpia e Bardhë, vendimi për largimin e parakohshëm të presidentit është marrë për shkak të përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme, pas përplasjeve të fundit ushtarake mes Izraelit dhe Iranit.
Sulmet ajrore mes dy vendeve vijuan gjatë natës dhe të hënën, duke shënuar ditën e katërt radhazi të përplasjeve pas një operacioni të papritur izraelit të premten, i cili goditi thellë në programin bërthamor të Iranit.
Një zyrtar i administratës amerikane theksoi për ABC News se Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përfshira në mënyrë direkte në operacionin izraelit, duke përjashtuar ofrimin e ndihmës ushtarake për këtë goditje. Megjithatë, presidenti Trump ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së SHBA-së në konflikt. “Është e mundur që mund të përfshihemi,” u shpreh ai në një intervistë për ABC News të dielën.
Vendimi i Trump për t’u kthyer me urgjencë në Uashington dhe për të mbledhur ekipin e tij në Sallën e Situatave konsiderohet një sinjal i qartë për rritjen e shqetësimeve në Uashington mbi një përshkallëzim të mundshëm rajonal ose global të konfliktit.